Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka kërkuar falje për dështimet e autoriteteve gjatë luftës me zjarret që janë përhapur në shumë pjesë të vendit.
Qindra zjarrfikës janë angazhuar në luftimin e zjarreve, të cilat kanë detyruar mijëra njerëz që të largohen nga shtëpitë dhe që kanë shkatërruar dhjetëra prona.
“Ne mund ta kemi bërë atë që ka qenë e mundshme njerëzisht, por në shumë raste nuk ishte e mjaftueshme”, tha shefi i qeverisë greke.
“E kuptoj plotësisht dhimbjen e bashkëqytetarëve tanë, të cilët panë shtëpitë ose pronat e tyre duke i djegur”, shtoi ai.
Megjithatë, Mitsotakis theksoi se vendi është duke u përballur me një fatkeqësi natyrore të përmasave të pashembullta.
Tymi i dendur ende është duke u përhapur nga ishulli Evia, në verilindje të Athinës, ku ka pasur zjarre për një javë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Publiku grek është shfaqur i zemëruar për shkak të vonesave dhe pengesave gjatë reagimit të qeverisë, përfshirë mungesën e dukshme të aeroplanëve zjarrfikës.
Kryeministri grek për zjarret e fajësoi krizën klimatike, e cila, sipas tij, shkakton zjarre që zgjasin me javë.
Të nxitura nga erërat e fuqishme dhe vala më e rëndë e vapës në Greqi në dekadat e fundit, mbi 580 zjarre kanë shpërthyer në pjesë të ndryshme të këtij shteti ballkanik që nga fundi i korrikut.