Ekonomi

Kryeministri Mustafa vlerëson interkoneksionin me Rrugën e Kombit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook është shprehur shumë i lumtur për përfundimin e punimeve në linjën e interkoneksionit me Shqipërinë. Kreu i ekzekutivit ka thënë se të gjithë janë të lumtur për këtë projekt dhe për nga rëndësia e ka krahasuar me Rrugën e Kombit.

Postimi i plotë i kryeministrit Isa Mustafa në Facebook:

Para gjashtë muajsh në Prishtinë, inauguruam përfundimin e punimeve në linjën e interkoneksionit në Kosovë dhe nga afër e pamë një mrekulli të inxhinieringut në energji, një projekt të botës moderne, projekt për ruajtjen e ambientit, por mbi të gjitha projekt i stabilizimit dhe arritjes së qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike të dy vendeve tona.

Ndihem krenar që tanimë përuruam përfundimin e punimeve në pjesën e Shqipërisë, që shënon kompletimin e autostradës energjetike prej 400 kV ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Mbi rëndësinë e këtij projekti flasin qytetarët tanë, flasin partnerët tanë. Këtë autostradë energjetike e vlerësojmë ekuivalente me Rrugën e Kombit për nga pesha për të dyja vendet tona.

the authorSamir Dalipi