Aktuale

Kryetari Bahtiri lavdërohet me projektet e Avni Kastratit

Projektet gjigante që janë investim i BE-së dhe kapin shumën rreth 40 milionë euro, si dhe projektet tjera investim i Qeverisë së Kosovës me vlerë pothuajse të njëjtë, kanë rigjallëruar qytetin e Mitrovicës.

Këto projekte që patën filluar gjatë viteve kur PDK-ja dhe Avni Kastrati udhëheqnin me këtë komunë, kryetari aktual Agim Bahtiri po ia atribuon vetes, derisa qytetarët akuzojnë këtë të fundit se po krenohet me projektet e tjetërkujt.

Melihate Meha, qytetare e Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se dihet botërisht kur kanë nisur këto projekte dhe kush është meritor për to.

“Këto projekte dihet botërisht kanë filluar në vitin 2011 dhe të gjithë i kemi lexuar, shfletuar, i kemi pasur librat. Këto janë meritë e Avni Kastratit”, ka thënë Meha.

Sadik Deliqi, një qytetar tjetër mitrovicas, çështjen e meritave rreth këtyre projekteve e ka shpjeguar duke marrë shembullin e gatuarjes së pites.

Sipas tij, piten e ka përgatitur Kastrati, ndërsa Bahtiri vetëm e ka shtruar sofrën.

“Kjo punë është sikur kur njeriu e përgatitë piten… Avni Kastrati me Partinë e tij e kanë përgatitur piten, e sofrën e ka shtruar AgimBahtiri…Por, sofra shtrohet kollaj kur është gati. Besoj 95 – 97 për qind meritat i ka Avniu, ndërsa Agimit s’mundemi me ia mohu sepse na ka shtru sofrën a”, sqaroi Deliqi.

Edhe Fatime Onbashi nga Mitrovica, potencoi se projektet që kanë filluar dikur dhe tani po përurohen, janë meritë ekskluzivisht e ish kryetarit Kastrati.

“Projektet e BE-së janë meritë e Avni Kastratit”, tha shkurt ajo për KosovaPress.

Ndërkaq, Avni Kastrati, ish kryetar i Mitrovicës, theksoi se projektet në fjalë kanë filluar gjatë viteve kur PDK-ja dhe ai udhëheqnin me komunën e Mitrovicës. Sipas tij, qeverisja e atëhershme lokale, përveç sigurimit të donatorëve, ka punuar shumë në avansimin dhe realizimin a këtyre projekteve.

Ai nuk deshi të flas për meritat dhe njerëzit meritorë, duke thënë se qytetarët janë ata të cilët japin më së miri vlerësimin rreth kësaj çështje.

“Ato projekte kanë filluar kryesisht në vitin 2012, disa prej tyre edhe gjatë vitit 2011, dhe prej atëherë e tutje është zhvilluar aktivitet i denjë për të avansuar ato projekte… Më së miri duhet të përgjigjen qytetarët se meritë e kujt janë këto projekte. Me rëndësi që ata i kanë ato projekte dhe Mitrovica ka punuar shumë prej vitit 2010 e tutje”, ka thënë Kastrati.

Në anën tjetër, Agjencia e Pavarur e Lajmeve KosovaPress ka provuar për disa ditë të kontaktojë kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, për të marrë një prononcim rreth kësaj çështje.

Ai, fillimisht përmes zëdhënëses Albana … ka refuzuar të flas para kamerës, duke sugjeruar që pyetjet t’i dërgohen përmes postës elektronike në adresë të Zyrës për informim, dhe se vetëm në këtë formë mund të komunikoj rreth kësaj problematike. Mirëpo, pasi është njoftuar me pyetjet, ai nuk ka dashur të përgjigjet fare as përmes kësaj forme, edhe pse përmes zëdhënëses së tij kishte premtuar një gjë të tillë.

Ndryshe, projektet si Shëtitorja e qytetit, Qendra multifunksionale, Palestra sportive, Liqeni akumulues, Shkolla për fëmijë me nevoja të veçanta, Universiteti publik etj, janë vetëm disa nga projektet që ishin përgatitur dhe kishin nisur në kohën e Avni Kastratit, disa prej të cilave janë përuruar pak kohë më parë, dhe të tjerat pritet të përurohen sivjet para zgjedhjeve.

the authorE B