Aktuale

Ku po shkojnë 10 centët e udhëtarëve të Stacionit të Prishtinës ?

Nga shtatori për udhëtarët të cilët i shfrytëzojnë linjat e autobusëve të Stacionit të Prishtinës është vendosur një tarifë prej 10 centësh, shumë e cila ende nuk dihet qartë se për çfarë po shfrytëzohet.

Për Diellza Hysenin e cila udhëtonte për Dragash shuma që ajo ka paguar i duket në rregull sepse duke paguar 10 cent, ajo siguron ulësen deri në destinacionin e saj.

“Është në rregull se tash për me nxan na vend e paguajmë, do me thënë 10 cent por rrimë ulur deri në Dragash ku kam me shku unë, e nëse nuk paguaj 10 cent mundem me mbet në këmbë“, tha ajo.

Edhe për Donat Dakaj kjo tarifë prej 10 centësh është në rregull, pasi këto mjete do të shfrytëzohen për mirëmbajtjen e Stacionit të Autobusëve.

“Në rregull nuk është shumë e madhe…s’po di ndoshta në mirëmbajtje të stacionit”, tha ai.

Ndërsa për udhëtarin, Faton Rexhepi tarifa prej 10 centësh është e palogjikshme. Sipas tij, me këto para po paguhen autobusët që Shpend Ahmeti i bleu me kredi.

“Kjo është katastrofale….e pa logjikshme është se tash duhet me ardhur në stacion me hyp me i pagu 10 cent ku mundesh me hyp ma përpara pa pare hiq, po ia bëjmë shtetit një të mirë, po i japim ka 10 cent, po ia paguajmë Shpendit autobusat që i ka marrë me kredi”, tha ai.

Ahmet Mula, shofer i një linje të autobusëve thotë se kjo gjë nuk është në rregull sepse në këtë mënyrë po plaçkitin udhëtarët por edhe kompanitë.

Ai tha se 10 centët që po i paguajnë udhëtarët po shkojnë në gjepat e drejtorit, Ylber Çitaku dhe se e gjithë kjo është bërë për interesa personale të tij.

“Kjo nuk është në rregull aspak as për pasagjerë, as për ne që jemi në firmë që punojmë si kompani, kjo është veç plaçkitje që i bëhet udhëtarëve dhe neve mundohen me na plaçkit…këto 10 cent në gjepa të drejtorit edhe për interesa personale të drejtorit i ka bëtë këto”, tha ai.

E Zymer Spahia i cili udhëtonte për në Austri, tha për KosovaPress se për të udhëtuar për destinacionin e tij ka paguar tarifën prej 1 euro.

Spahia po ashtu tha se një tarifë e tillë nuk ekziston askund në botë dhe se nuk ka njohur se ku shkojnë këto mjete.

“Për Austri udhëtoj, 1 euro e kom pagu që jam hy në stacion edhe jam dal…jo e mirë absolut nuk ekziston askund kjo…nuk di për çka, kur e dinë njeri ku shkojnë ato pare më mirë ka qenë me ditë ku”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Ylber Çitaku përmes telefonit për KosovaPress ka thënë se këtë shërbim prej 10 centësh duhet ta paguajnë vetëm personat që udhëtojnë me autobusë, por jo edhe këmbësorët që kryejnë shërbime në Stacion të Autobusëve.

“Këmbësorët që duan të kryejnë shërbime në stacion të autobusëve nuk paguajnë asgjë, vetëm udhëtarët që udhëtojnë me autobus që blejnë një biletë paguajnë 10 cent shërbim”, tha ai.

Sipas tij, 10 centët që i merren qytetarëve nuk investohen në krijimin e ofrimit të kushteve më të mira për udhëtarët si për shembull për tualete pa pagesë, pasi që ato ende vazhdojnë të jetë me pagesë.

“Nuk është që ky projekt ka interferuar në asnjë mënyrë në tualete, në garderobë, në shërbimet që i ofron stacioni i autobusëve, apsolutikisht jo, shitja digjitale e biletës ka sjell rrëmujë dhe probleme të pa qena. Efekti i shitjes së biletave është largimi i manipulimeve, largimi i vjedhjeve largimi i keqpërdorimeve, duke filluar nga pjesëtarët e stafit deri tek mos vjedhja e shtetit përmes pagesës së TVSH-së“, tha ai./KosovaPress/