Aktuale

Kurti: Disa ditë para vdekjes së Astrit Deharit Kadri Veseli tha “kujdes se po e vrani veten”

Në një konferencë për mediat, në selinë e Vetëvendosjes, ka folur kryetari i saj, Albin Kurti.

Kurti ka folur për aktivistin e Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili vdiq më 5 nëntor 2016 në Burgun e Prizrenit, vdekja e të cilit mbetet ende e pazbuluar. Kryetari i VV-së ka folur edhe për deklaratën e Kadri Veselit në Kuvend vetëm disa ditë para se të vdiste Astrit Dehari.

Kurti, ka thënë se Deharin nuk e mori as sëmundja e as aksidenti.

“Në Burgun e Prizrenit Astrit Deharin nuk e mori as sëmundja e as aksidenti. Astritin e mori padrejtësia që e luftoi me gjithë shpirt. Astriti nuk ishte thjesht në burg, Astriti ishte i paraburgosur. As dënim as aktakuzë. Astriti në paraburgim ishte i pafajshëm jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht dhe politikisht. Astriti nuk u mor fare në pyetje nga prokurori deri kur u mbytë më 5 nëntor të vitit 2016”, ka thënë Kurti, shkruan Periskopi.

“Kurti tha se paqartësisë së deklaratave të rrejshme për vdekjen e Deharit i kishte paraprirë drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili i pari ishte deklaruar mbi shkaqet për vdekjen e tij, por që më vonë dolën të pavërteta. Kryepolici Nexhmi Krasniqi ishte i pari që foli dhe që gënjeu. Ai foli për medikamente të paqena. Ekspertiza tregoi se Astriti nuk vdiq nga 11 lloje të drogave”, tha Kurti.

Kurti po ashtu ka përmendur edhe një deklarata të Kadri Veselit disa ditë para se të vdiste Astrit Dehari.

“Disa ditë para se Astrit të përfundonte në burg, Kadri Veseli pat thënë në Kuvend “kujdes se po e vrani veten”. Kurrë Kadri Veseli nuk ka folur për atë deklaratë”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe për vdekjen e Naser Makollit, i burgosuri që i pari e kishte parë të vdekur Astrit Deharin. Kurti ka lënë të kuptohet se vdekja e tij është e mistershme. /Periskopi/