Aktuale

Kurti flet për misionin e përbashkët që ka me LDK’në

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti qeverinë Haradinaj e ka konsideruar qeveri të vdekur, të pakallur dhe një qeveri zombie, duke e vënë në pah mosbesimin që ekziston mes partnerëve të koalicionit.

Në një intervistë me shkrim për Gazetën Jeta në Kosovë, Kurti ka folur edhe për bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me të cilën ka thënë se kanë misionin e përbashkët, atë të ‘ndaljes’ së presidentit Hashim Thaçi.

Në mes tjerash, i pari i VV-së, ka folur për taksën 100 përqind ndaj mallrave serbe, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe pritjet nga Ekipi Negociator i Qeverisë së Kosovës.

“Me z. Mustafa dhe me LDK kemi një komunikim dhe koordinim të përshtatshëm, i cili po luan një rol shumë të mirë sepse po e lë pa legjitimitet Thaçin në përpjekjen e tij për pazar të shpejtë. Qëndrimi ynë i përbashkët ka të bëjë me faktin se këtë dialog nuk mund ta çojë përpara Hashim Thaçi dhe as një grup partish të vogla të bëra bashkë rrotull tij. Neve na bashkon të qenit në opozitë, dhe të qenit dy partitë më të mëdha të Kosovës, që së bashku kanë mbështetjen e shumicës absolute të qytetarëve. Sa i përket së shkuarës, sigurisht që kemi pasur mospajtime dhe përplasje, sepse po të kishim qenë dakord edhe për të shkuarën nuk do të ishim dy parti por një parti”.

“Në politikë ne në Vetëvendosje nuk nisemi nga mllefet e inatet e së shkuarës, por veprojmë të udhëhequr nga pikëpamjet tona programore e parimore, dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me sinqeritet dhe pa hile me subjektet që kanë qëndrime të përafërta me ne, për aq kohë sa na lidhin këto qëndrime. Ne nuk jemi si PDK, dhe kur hyjmë në bashkëpunim me subjekte të tjera i qëndrojmë fjalës dhe zotimeve tona deri në fund, me përgjegjësi. Prandaj edhe marrëveshjet tona përgjithësisht kanë qenë të shkruara e transparente, dhe jo në prapaskena”, ka deklaruar Kurti.

the authorSamir Dalipi