Aktuale

Kurti: Kemi më pak staf mjekësor se vendet e tjera, por jemi prej tyre që po e përballojmë më së miri pandeminë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti sot së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar Klinikën Infektive.

Kurti tha se Kosova është ndër vendet që ka pak staf mjekësor por që bën pjesë në vendet që e kanë menaxhuar më së miri pandeminë.

“Numrin e stafit mjekësor në përgjithësi e kemi shumë herë më të vogël se vendet e tjera, por jemi prej vendeve që po e përballon më së miri këtë pandemi, kjo thuhet edhe nga analizat e matjet e shumë ekspertëve botëror”, tha Kurti, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate.

Tutje, KM në detyrë apeloi të kihet kujdes.

“Jemi shumë afër fitores kundër këtij virusi, mos të humbasim në fund, nga relaksimi e pakujdesia. Prandaj: qëndroni në shtëpi, qëndroni në distancë e qëndroni të pastër”, shtoi ai, përcjell FaktePlus.

Kurse Arben Vitia i siguroi personelit mbështetje nga minsitria.