Aktuale

Kurti refuzon takimin me Vuçiqin më 11 maj

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin me palën serbe më 11 maj, i cili u paralajmërua nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrelli.

Ai ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në një takim, në të cilin nuk e ka konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen.

Ndërkaq Kurti, ka bërë të ditur se në Bruksel do të shkojë përsëri për ndonjë drekë ose darkë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Ajo çka mund të konfirmoj është se do të vi në Bruksel për ndonjë drekë ose darkë punë të konfirmuar nga Borrell ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor. Vizita që e kemi këtu dy ditë është në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale, që na nevojiten edhe më shumë marrëdhëniet e tilla të forcuara dhe takimet e tilla të rajonit para se të fillojmë kapitullin e ri të dialogut që duhet të jetë i përgatitur mirë edhe me parime pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka folur edhe për vaksinat duke bërë me dije që në takimet që ka pasur ka kërkuar bashkëpunim lidhur me këtë çështje.

“Tashmë e dimë që do e kemi ardhjen e 95 mijë vaksinave të reja në maj dhe neve na nevojiten më shumë se kaq, dhe me partnerët po diskutojmë se si ti marrim më shpejtë vaksinat që të mund t’i kthejmë më vonë ato për shkak se jo vetëm për shëndetin publik të vendit tonë por edhe për ekonominë private është e domosdoshme ardhja e mërgatës gjatë verës, meqenëse jemi aq shumë të varur nga ta. Pra edhe për shëndetin e dhe për ekonominë. Këtë e kam diskutuar edhe me kryeministrin belg dhe zyrtarët tjerë”, ka thënë ai./ ATVLIVE