Aktuale

Kurti uron akademikun Rexhep Qosja që ideali i tij për bashkim kombëtar, të realizohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në akademinë solemne në shënim të përvjetorit të 85-të të lindjes së akademikut Rexhep Qosja.

Ai e ka cilësuar Qosjen për veprat e të cilit janë “të pamosha” gjerësa ka uruar që ideologjitë e tij, duke e vënë në theks atë të bashkimit kombëtar të realizohen.

Kurti tha se Qosja ishte një ndikim i madh për të gjitha gjeneratat që nga vitet e 68′ e deri më sot.

“Rexhep Qosja duket sikur nuk ka moshë, sepse vepra e tij është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, 70-ta, 80-ta, 90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe.”, tha Kurti.

Sipas tij angazhimi i Rexhep Qosjes në politikën e Kosovës, me gjithë polemikat dhe kundërshtitë e pashmangshme, nuk është shkëputur aspak nga përpjekja intelektuale për ta ruajtur bashkimin shpirtëror të shqiptarëve.

“Sot i gëzohemi ditëlindjes së intelektualit publik që çështjen shqiptare e ka mbrojtur me guxim dhe dinjitet si në forumet e ish-federatës jugosllave, po ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Veç titulli i librit Populli i ndaluar, botuar në vitin 1990, mjafton për të rrokur në një togfjalësh historinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe si parathënie e asaj që do të vijonte në dy dekadat e ardhshme. Angazhimi i Rexhep Qosjes në politikën e Kosovës, me gjithë polemikat dhe kundërshtitë e pashmangshme, moskuptimet e mëritë që mund të ketë lënë te të tjerët, nuk është shkëputur aspak nga përpjekja intelektuale për ta ruajtur bashkimin shpirtëror të shqiptarëve dhe për ta ngjizur atë në program politik në rrethanat e kohës. Sërish titujt e veprave flasin vetë: Strategjia e bashkimit kombëtar, Ideologjia e shpërbërjes, Rilindja e dytë, Kosova dhe Shqipëria: Si janë dhe si duhet të jenë. Për sa kohë që përpjekja shqiptare për bashkim e përparim nuk është vetëm historike, por edhe aktuale, këto e të tjera vepra të Rexhep Qosjes nuk do të kenë moshë. Edhe njëherë, i urojmë akademikut e intelektualit tonë të madh e të dashur të jetojë dekada të reja e të tjera, për ta parë idealin e tij të realizuar!” – e ka përmbyllur fjalimin e tij, kryeministri Kurti.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, z.Lulzim Tafa

Kujtojmë që pjesëmarrës në këtë akademi solemne e cila u mbajt në premisat e Kolegjit AAB ishin edhe Kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, z.Lulzim Tafa, Rektori i Kolegjit AAB, z.Bujar Demjaha, Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, z.Hysen Matoshi dhe Profesorët Agim Vinca, Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi./ATVLIVE/