Aktuale

Kushti i njëjtë i LDK-së për Vetëvendosjen dhe Haradinajn

Një kusht që Lidhja Demokratike e Kosovës ia kishte vënë Lëvizjes Vetëvendosje muaj më parë, ia ka vënë edhe kryeministrit të vendit Ramush Haradinajt.

Në kohën kur pothuajse të gjitha partitë në vend ishin afër koalicionit parazgjedhor, LDK kishte bërë koalicion me AKR-në dhe Alternativën, ndërkaq i kishte vënë kusht Vetëvendosjes që të kërkojë falje për dosjet e dërguara kundër Isa Mustafës, shkruan Insajderi.

Vetëvendosje nuk kishte pranuar në asnjë mënyrë që të kërkojë falje ndaj LDK-së, madje për VV-në kjo ishte puna më e mirë që kjo parti ka bërë në komunën e Prishtinës.

“Njëra ndër punët më të mira në Komunën e Prishtinës është ndalja dhe luftimi i korrupsionit. Me dosjet e deponuara në prokurori merret drejtësia madje ne presim një angazhim dhe seriozitet të prokurorisë në këtë drejtim në mënyrë që gjithë ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare të marrin përgjegjësinë penale”, kishte thënë deputetja e VV-së Albulena Haxhiu para katër muajve për Insadjerin.

Koalicioni mes LDK-së dhe VV-së kishte dështuar, LDK kishte hyrë në zgjedhje me AKR-në dhe Alternativë, ndërkaq VV ishte futur e vetme.

Nga këto zgjedhje nuk fituan asnjëra. Koalicioni mes PDK-së, AAK-së, Nismës dhe disa partive të tjera kishte dal fitues në zgjedhjet e 11 qershorit. E dyta kishte mbetur VV, ndërkaq koalicioni LAA kishte përfunduar e treta.

Por edhe pas zgjedhjeve partneri i LDK-së, Aleanca për Kosovën e Re, kishte kërkuar që VV t’i bashkohet bllokut LAA, por problemi kishte mbetur akoma i njëjtë. VV duhet t’i kërkonte falje LDK-së.

Pas disa muajve AKR e pakënaqur me LDK-në dhe VV-në pranojë që të votojë ofertën e PAN-it, Kadri Veselin kryetar të kuvendit, dhe Ramush Haradinajn, kryeministër, duke u bërë edhe ajo pjesë e Qeverisë.

Të njëjtin kusht LDK po e ka edhe për kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj veç kësaj radhe kushti ka të bëjë me votimin e demarkacionit nga deputetët e kësaj partie.

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani ka thënë sot gjatë ditës se kushti i kësaj partie për ta votuar demarkacionin është që Haradinaj të kërkojë falje.

“Do ta votojmë atëherë kur kryeministri i vendit do të dalë dhe të kërkoj falje publike para qytetarëve të Kosovës për krejt atë që ka ndodhur kur është procedua në Kuvend i njëjti dokument i cili ky kryeministër e ka votuar me dorën e vetë”, ka deklaruar Osmani.

Marrëveshja për demarkacionin pritët që të votohet brenda kësaj jave nga deputetët e kuvendit të Kosovës./Inasjderi.com