Aktuale

Kuvendi emëron Haxhi Dërgutin anëtar të Këshillit Drejtues të IGJK-së, VV kundërshton

Me 59 vota për, 7 kundër dhe  4 abstenime, Kuvendi emëroi Haxhi Dërgutin, anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

E kundër këtij emërimi ishte VV-ja. Deputetja, Albulena Haxhiu u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë kandidatin  propozuar nga  Aleksandër Lumezi.

Haxhiu tha se propozimi është i papranueshëm, pasi që Dërguti nuk është kandidat i denjë për këtë post.

“Iu kisha lut ta shihni CV e këtij kandidati, që na ka propozuar Aleksander Lumezi. Me një CV që i ka 30 gabime drejtshkrimore, është për keqardhje se po flasim për një prokuror që s’di ta shkruaj as fjalën Kosovë, e plot fjalë tjera. Ky sistem ka prodhuar njerëz të tillë që janë më shumë të dëgjueshëm se sa profesional. Në emër të grupit parlamentar kërkoj që të mos e përkrahin një emërim të tillë. I bëjë thirrje Aleksander Lumezit, që të jetë serioz dhe mos të tallet kuvendin me emërime të tilla”, tha ajo./KosovaPress/