Aktuale

Kuvendi kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit

Me 51 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime, është miratuar rezoluta e paraqitur nga Armend Zemaj në emër të grupit parlamentar të LDK-së dhe PDK-së, përmes së cilës kërkohet lirimi i menjëhershëm i drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Ndërkohë, vota të mjaftueshme nuk mori rezoluta e Gëzim Kelmendit, i cili edhe e kishte dhënë propozimin për miratimin e një rezolute për Nehat Thaçin, ditë më parë.

Rezolutën e cila u miratua me 51 vota e lexoj Armend Zemaj.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit. BE si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes mekanizmave të saj detyruese kërkohet të ndërhyj te Qeveria e Serbisë që të lirohet Nehat Thaçi. Çdo komunikim i Qeverisë së Republikës së Kosovës për rastin e arrestimit të Nehat Thaçit,  deri në lirimin e tij, të bëhet vetëm përmes zyrës së Shefes për politikë të jashtme të BE-së, Federika Mogerini, si përfaqësuese e lartë e BE-së. Qeveria e Republikës së Kosovës t’i bëjë me dije BE-së se veprimet e tilla të Serbisë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës po i rrezikojnë thellë përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe dialogun në mes të dy vendeve, duke na detyruar në reciprocitet. Misioni i EULEX-it të deklarohet për rastin e z.Thaçi, njëherit kërkojmë angazhimin e drejtpërdrejt si mision me kompetenca të veçanta. Kërkojmë nga Interpoli që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate, njëherit insistojmë që fletarrestet politike të shpallura nga Serbia të largohen nga sistemi i tyre ligjor”, ka deklaruar Zemaj.

Nga ana tjetër, rezoluta e paraqitur nga Gëzim Kelmendi, që u përkrah edhe nga partitë opozitare e që kërkonte ndërprerjen ose pezullimin e menjëhershëm të bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Nehat Thaçit, nuk u përkrahë nga shumica parlamentare.

“Projekt rezoluta jonë i përmban katër rekomandime. Rekomandimi i parë është: Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës, drejtorit rajonal të Rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçit. Pika e dytë është: Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Thaçit dhe pezullimin e të gjitha fletarresteve dhe aktakuzave të ngritura për ish pjesëtarët e UCK-së. Pika e tretë: BE si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut të deritashëm në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes mekanizmave të saj të kërkoj nga qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi. Dhe pika katërt: EULEX-i të deklarohet për rastin Thaçi, njëherit kërkojmë angazhim të drejtpërdrejtë prej tij si mision me kompetenca të veçanta dhe pika e pestë kërkojmë nga qeveria e Kosovës të ndërmarrë ët gjitha veprimet në raport m e BE dhe Interpolin që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e Interpolit dhe njëherit kërkojmë që fletarrestet politike nga gjykata e Serbisë të largohen nga sistemi i tyre”, ka deklaruar Kelmendi.

Para se të votoheshin projektrezolutat, në Kuvend kishte disa debate në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës, ku të parët kërkonin lirimin e Thaçit dhe disa kushte për Serbinë, kurse opozita kërkonte ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, gjë që nuk u pajtua shumica dhe kjo e fundit nuk kaloi. /KP