Aktuale

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për liritë fetare

Kuvendi i Kosovës me 61 vota për, katër kundër dhe 13 abstenime miratoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31për Lirinë Fetare në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili prezantoi Projektligjin në fjalë, tha se nevoja për këtë Projektligj ka të bëjë me avancimin e kornizës ligjore.

“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit 02/L-31për lirin fetare në Kosovë është miratuar nga qeveria e Kosovës me vendimin numër 0303 të datës 18,09.2017. Nevoja për nxjerrjen e këtij projekt ligji konsiston në avancimin e kornizës ligjore, e cila rregullon statusin juridik të bashkësive fetare, organin kompetent për regjistrimin gjegjësit çregjistrimin e bashkësive fetare në Kosovë, pozitën e tyre juridike dhe fondet dhe donacionet e tyre. Me ligjin në fuqi njihen pesë bashkësi fetare në Kosovë të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike e kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë :Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha ortodokse serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e besimit hebre dhe Kisha Protestante dhe Ungjillore e Kosovës. Në projekt ligj është shtuar edhe Bashkësia e tarikateve të Kosovës si bashkësi që përbënë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit”, tha ai.

Haradinaj tha se ky projektligj është hartuar duke u bazuar në konventat ndërkombëtare si dhe opinionin e Komisionit të Venedikut. Ai tha se ky Projektligj duhet të miratohet, pasi është ndër parakushtet për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Por deputeti i VV-së Glauk Konjufca kërkoi nga kryeministri të dijë, se a kanë konsultuar paraprakisht bashkësitë fetare, me qëllim të mos ketë reagime më vonë.

“Nuk e di sa është menaxhuar mirë procedura e konsultimit të bashkësive fetare. Për shembull nuk është mirë që Kosova të miratoj një ligj kaq të rëndësishëm dhe më pastaj të kemi reagimin e bashkësive fetare dhe të shprehen ato pakënaqësi, pasi ne ta miratojmë këtë ligj në këtë seancë, pra nëse ne tash me këtë ligj mënyrën se si po e votojmë, atëherë nxisim një debat edhe më të madh fetar në Kosovë. Unë mendoj që kjo nuk do t’i kontribuonte një ambienti që ka qenë dhe një tolerance ndër fetare në Kosovë, që ka qenë një far lloji tipari shumë i vlefshëm karakterizues i jetës fetare në Kosovë dhe jetës tonë në përgjithësi shoqërore që ka qenë diçka që gjithmonë jemi mburrur por edhe jemi lavdëruar prej të tjerëve. Nëse kjo preket me pakujdesi në trajtim atëherë unë mendoj që i kemi bërë dëme Republikës së Kosovës, kështu që nuk e di sa janë konsultuar deri në fund bashkësitë fetare”, tha ai.

E Haradinaj tha se është konsultuar me bashkësitë fetare, të cilat kanë rënë dakord.

“Konsultimet me bashkësitë fetare. Unë e kam pas nderin me ftu në fillim Bashkësinë Islame, myftiun Tërnava dhe disa koleg i kemi biseduar plotë aspekte të ligjit, kuptohet ata kanë pasur një mendim se situata nuk është krejt e barabartë. Për shembull një bashkësi është më e madhe ka situatë tjetër, tjetra kështu por megjithatë kemi mbërri një dakordim, pra që është më mirë të kemi ligjin kështu si e kemi se sa të mos kemi fare. Kam biseduar edhe me tarikatet edhe ato janë dakord në këtë perspektiv që është paraparë në ligj. Kam pas rast me fol me Ipeshkvin e Kosovës jo me Ipeshkvin, sepse ishte jashtë vendit do ditë por me zyrtarë të tjerë të Ipeshkvijsh dhe me Kishën ortodokse serbe në Kosovë që janë dakord të gjithë me këtë ligj”, tha ai.

E deputeti Milaim Zeka si shqetësim ka ngritur lidhur me mos përfshirjen e kishës ortodokse

“Si deputet kam vetëm një shqetësim. Për mendimin tim personal në ligj do të duhej të theksohej Kisha Ortodokse e Kosovës, e jo Kisha Ortodokse serbe. Pasi që dihet në bazë të krejt historiografisë ata që kanë lexuar pak a shumë që ndërtues arkitekt të këtyre kishave jemi pikërisht ne shqiptarët. E në qoftë se ne e definojmë me ligj si Kisha Ortodokse serbe, atëherë në mënyrë automatike i përjashtojmë, i fyejmë dhe i diskriminojmë pjesëtarët e kombit shqiptar që kanë fe ortodokse”, tha ai.

E edhe deputeti Nait Hasani, kërkoi që në Kosovë të jetë dhe kisha ortodokse shqiptare.

“Po mungon kisha ortodokse shqiptare. Cila është arsyeja që mos ta kemi kishën ortodokse shqiptare. Nëse nuk e kemi kishën ortodokse shqiptare, ortodokset shqiptar që janë në Kosovë, ku do të jenë ata. Kujt do t’i nënshtrohen apo do të krijojnë ata vet një bashkësi tjetër. Andaj unë kërkoj që të shtohet dhe kisha ortodokse shqiptare, si bashkësi në vete në Kosovë“, tha ai.

E debat rreth këtij projektligji nxiti dhe çështja e numrit të anëtarëve për regjistrimin e bashkësive fetare, që parashihen të jetë 50 –të nënshkrime.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, tha se shteti nuk duhet që t’i financojë bashkësitë religjioze

“Shteti s’duhet t’i financojë bashkësitë religjioze. E para, por kryesorja, sepse nuk dëshiroj ta zgjas është neni, i cili i përcakton bashkësitë fetare dhe që mua më duket që është kundër logjikës juridike të këtij teksti dhe kundër logjikës juridike të tekstit bazë, sepse ai si ka kështu dhe më shumë duken si qëndrime politike. Unë propozoj që ky nen, i cili saktësisht është neni 4A, do të thotë bashkësitë fetare në Kosovë të mos jap nominalisht bashkësitë fetare, mendoj që ky nen është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me parimin e lirisë së asocimit. Nuk mund ne të përcaktojmë cilat janë bashkësitë fetare dhe as të vëmë emrat, bashkësitë të cilat ekzistojnë dhe funksionojnë duhet të rregullohen, të regjistrohen në procedurën, në të cilën do të regjistrohen edhe në procedurën në të cilën do të regjistrohen edhe bashkësitë e reja të mundshme. Po ashtu edhe çështja e numrit. Unë mendoj që numri prej 50 është shumë i vogël sidomos, për rrethanat tona për kontekstin tonë por nuk pajtohem që të hiqet, duhet të saktësohet duhet të vendoset me ligj dhe duhet të mendohet mirë“, tha ai.

Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje, tha se një prej mënyrave të rregullimit të çështjes së problemeve të mundshme që dalin nga çështjet fetare, është që të kontrollohen financat e të gjitha bashkësive fetare, duke u rregulluar përmes financimit shtetëror. Por të njëjtën kohë me qenë subjekt, të cilat i raportojnë institucioneve qysh janë dhe institucionet tjera.

“Mënyra qysh po prezantohet nga kryeministri, është problem për faktin se tani kryeministri ka vendos një praktikë për mendimin tim ad-hoc dhe në mënyrë arbitrare të ndarjes së fondeve, nga buxheti i republikës së Kosovës. Dhe heqja e këtij paragrafi, VV e kthen në pozicionin që nuk do ta votoj këtë ligj, për shkak se ia mundëson këtij kryeministri, por dhe kryeministrave të ardhshëm që me shpërnda në bashkësitë e ndryshme fetare për ndihma të ndryshme, që mund të keqpërdoren në të gjitha drejtimet”, tha ai.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku foli lidhur me financat s ai përket këtij projektligji.

“LDK jemi në përkrahje të ligjit në fjalë. Por nuk jemi në përkrahje të propozimit nga kryeministri, që të hiqet paragrafi 3 i nenit 12, ku thotë që qeveria nuk financon asnjërën prej bashkësive fetare. Pra konsiderojmë që një ndryshim i tillë eventual, e bënë fillimisht të pavlefshme deklaratën financiare të këtij projektligji. Por gjithashtu e hap një derë të pa kontrollueshme nëpërmjet këtij ligji. Pra ne në qoftë se hapim derën e shpërndarjes parave buxhetore nëpërmjet këtij ligji, por pa kontrolluar dhe shpenzimet e subjekteve që e rregullojmë, kemi bërë zgjidhje gjysmake”, tha ai./KP