Aktuale

Kuvendi i Shqipërisë konfirmon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Shqipërisë ka konfirmuar se ka pranuar një kërkesë nga kryeministri Edi Rama, për një seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite pritet të jenë votimi i dekreteve të Presidentit Bujar Nishani, për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave, shqyrtimi dhe miratimi i paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore dhe miratimi i anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve.

Sipas një njoftimit të Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm.

“Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00. Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me: Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave; Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore; Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve dhe zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZ-së. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe afatet e parashikuara në të, kryetari i Kuvendit do të nxjerrë urdhrin për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm dhe do të publikojë rendin e ditës”, thuhet në njoftim./KosovaPress/