Aktuale

Kuvendi i Shqipërisë nis sot sesionin e ri

Kuvendi i Shqipërisë nis sot pasdite punimet e sesionit të fundit i kësaj legjislature, e cila mbyllet në muajin maj me shpërndarjen e parlamentit, për t’i hapur rrugën Kuvendit të ri që do dale nga zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Në seancën e parë hapëse deputetët do të miratojnë programin e punës për periudhën 16 janar–24 shkurt dhe kalendarin 3-javor për periudhën 16 janar–3 shkurt.

Gjithashtu, në seancë do të paraqitet dhe kalendari i raportimit vjetor në Kuvend tw organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj.

Por ky fillim sesioni pritet të jetë ndryshe për opozitën, e cila ka paralajmëruar se do ta kushtëzojë prezencën e saj në Kuvend me pranimin nga  maxhoranca të votimit elektronik, si mundësia e vetme që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.

Sesioni i ri parashikohet me një agjendë të ngjeshur pune, ku kryefjala e tij do të jetë realizimi sa më shpejt i reformës zgjedhore.

Një tjetër angazhim i Kuvendit lidhet me zbatimin e reformës kushtetuese, ku pritet ngritja e organeve të reja të drejtësisë, por dhe ndërhyrjet në rreth 40 ligje, që do te mundesojne riorganizimin e institucioneve të sistemit gjyqësor në vend.

Mes çështjeve me interes, të mbartura nga sesioni paraardhës, është dhe dekreti i presidentit për rishqyrtimin në parlament të ndryshimeve në ligjin “Për menazhimin e integruar të mbetjeve”, që shkaktoi mjaft perplasje mes qeverise dhe shoqërisë civile, ku kjo e fundit u mbështet dhe nga opozita në argumentet e saj kundër këtij ligji.