Aktuale

Ky është gylenisti i gjashtë që u arrestua në Kosovë, ishte mjek

Në mes të emrave Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, që u arrestuan sot në Kosovë, është edhe një emër i ri. Ai është Osman Karakaya, i cili ka punuar në Kosovë në një klinikë private si mjek.
Drejtues të institucioneve shkollore turke në Kosovë, por njëri nga ta me profesion mjek, përkundër se kanë qenë të pajisur me leje qëndrimi në Kosovë, atyre u janë pezulluar ato. Ata u arrestuan dhe deportuan në Turqi, siç thotë media turke, Hurryet, përmes bashkëpunimit të AKI’së me MIT’in turk.

Fillimisht u raportua se u arrestuan vetëm pesë, por mediat në Turqi kanë zbuluar edhe emrin e gjashtë, që u dërgua nga Kosova për në Turqi.

Osman Karakaya, ka punuar si mjek në spitalin privat “Kavaja”. Punën aty e nisi në vitin 2016.

Që nga nëntori i vitit 2015, ai punon si kardiolog invaziv dhe jo invaziv në spitale të ndryshme të Kosovës.

2014 – 2015, ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Turqisë.

Gjashtë shtetasit turq, banorë të Kosovës, të identifikuar si përkrahës të Gylenit, janë deportuar për në Turqi, të enjten, pak orë pas arrestimit të tyre nga Policia e Kosovës.