Aktuale

Ky është plani i Listës Serbe kundër qeverisë së Albin Kurtit

Përfaqësuesit politik të serbëve në Kosovë janë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit por ata insistojnë se nuk janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Në karriget ministrore në Kosovë ulen dy përfaqësues të Listës Serbe, kurse qëndrimi i tyre zyrtar nuk e mbështet qeverinë në të cilën bëjnë pjesë. Ata kanë shpjeguar qëndrimet e tyre dhe serbëve në Kosovë.

Një nga ata ministra, Dalibor Jevtiq për “BBC” në gjuhën serbe ka thënë se deri tani nuk ka ndodhur që qeveria të formohet pa marrëveshje koalicioni, transmeton lajmi.net.

“Ky qëndrim është i caktuar edhe me Kushtetutën këtu në Kosovë, gjendja në të cilën jemi ndodh për herë të parë dhe koha do të tregojë se si do të shkojnë gjërat më vonë. Bashkëpunimi me kolegët në qeveri do të jetë korrekt derisa ekziston respekti i ndërsjellë”, deklaroi ai.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, partia e kryeministrit të ri, Albin Kurti, insistojnë se Lista Serbe nuk do ta pengojë punën e qeverisë. Jevtiq u zgjodh Ministër për Komunitete dhe Kthim që nënkupton se mbetet në të njëjtën pozitë si në kabinetin e kaluar të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Kurse, Ivan Milojeviq është emëruar Ministër për Zhvillim Rajonal.

Jevtiq ka thënë se ai tani gjendet në qeveri në bazë të ligjeve që vlejnë në Kosovë e që garantojnë se dy ministra serbë duhet të emërohen në pozitë nëse qeveria ka më tepër se 15 ministri.

“Ne edhe në qeveritë e kaluara kemi votuar kundër disa vendimeve, nuk ka dyshim se njësoj do të jetë edhe tani, por jemi të gatshëm të mbështesim të gjitha proceset që nënkuptojnë përmirësimin e jetesës së serbëve dhe popujve të tjerë jo shumicë”, tha ai.

“Dallimet që kemi duhet t’i shfrytëzojmë në krijimin e të ardhmes më të mirë dhe kjo do të jetë porosia jonë gjithmonë dhe kudo”, shtoi ai. Jevtiq ka thënë se ende nuk ka patur mundësinë të bisedojë për detaje me kryeministrin e ri, Kurti, por ka shtuar se gjatë negociatave për qeverinë ishte takuar disa herë me të.

the authorGazetaKNN