Aktuale

Largimi i UNMIK’ut nga Kosova do ta hidhëronte Beogradin

Prishtina dhe Beogradi mbajnë pozicione të kundërta në lidhje me mundësinë që misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur me shkurtesën UNMIK, të mbyllet. Debatet rreth kësaj çështjeje, kanë pasuar një letër të publikuar nëpër rrjetet sociale të ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që t’i ndërpresë mandatin UNMIK-ut në Kosovë.

Kjo kërkesë është mirëpritur nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq është kundërshtuar nga Qeveria e Serbisë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të dërguar nga zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, thuhet se përmbyllja e këtij misioni dhe zëvendësimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Ka kaluar koha e UNMIK-ut dhe Rezolutës 1244 dhe sa më shpejt që të hiqet kjo rezolutë dhe Kosova të anëtarësohet në OKB, do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, në ditën e fundit si ambasadore i kërkoi sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të përmbyllet misioni i UNMIK-ut në Kosovë.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq i cili tha se “tërheqja e paqeruajtësve të OKB-së nga Kosova nuk do të linte zgjidhje tjetër për Serbinë përveç se të mbrojë popullatën etnike serbe në Kosovë”.

“Në mënyrë të qartë amerikanët dëshirojnë të tërheqin gjithë atë çfarë OKB-ja përfaqëson sot në Kosovë sepse për amerikanët Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Dëshirojnë të largojnë edhe gjurmët e fundit të rezolutës 1244 dhe të tregojnë se vendimi i tyre ka qenë i vetmi i mundur”, ka deklaruar Vuçiq.

Tërheqja e UNMIK-ut, sipas tij, dhe formimi i ushtrisë së Kosovë do ta sillte Serbinë në një pozitë tmerrësisht të keqe në të cilën, siç tha ai, “nuk do të kishte asnjë zgjidhje tjetër përveç se të mbrojmë vendin tonë dhe popullin tonë”.

Mirëpo, Vuçiq nuk specifikoi se çfarë aksione do të mund të ndërmerrte Serbia nëse misioni i OKB-së, i njohur si UNMIK, do të ndërpritet.

Për profesorin në Universitetin ‘John Hopkins’ në Uashington, Daniel Serwer, ky kundërshtim është i kuptueshëm përderisa Serbia e sheh këtë mision si dëshmi të sovranitetit të saj në Kosovë, që sipas tij, është e pakuptimtë. Server i tha shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se tashmë SHBA-ja e ka një parim të përmbylljes së misioneve të OKB-së aty ku është e mundur.

“Nuk jam i habitur që për këtë kundërshtohet në Beograd pasi prania e OKB-së në njëfarë mënyre për Serbinë është dëshmi e sovranitetit të saj në Kosovë, që është e pakuptimtë pasi në realitet nuk ka sovranitet, përveç në veri të Kosovës dhe një lloj kontrolli në pjesë tjera ku jetojnë komuniteti serb, por që edhe Beogradi në vitin 2013, e ka pranuar në marrëveshjen e Brukselit që Kushtetuta e Kosovës të zbatohet në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Serwer.

Ndërkohë, misioni i UNMIK-ut në Kosovë nuk është përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë për misionin, angazhimet dhe aktivitetet që ka aktualisht në Kosovë.

Për ish- ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, përmbyllja e misionit të UNMIK-ut do të mund të bëhej vetëm përmes një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit e cila do të zëvendësonte rezolutën 1244, dhe për këtë sipas tij, institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më aktive dhe të insistonin se në Kosovë nuk ka nevojë për misionin e OKB-së.

“Unë shpresoj shumë se një nga vendet me të drejtë vetoja, përkrahëse të Kosovës në këtë rast SHBA ose Britania e Madhe do të bëjnë kërkesë zyrtare që rezoluta 1244 të përmbyllet me një rezolutë të re e cila konstaton përmbylljen e misionit të UNMIK-ut”, tha Hyseni.

“Institucionet e Kosovës është dashur të insistonin në kërkesën që unë kam bërë si ministër i Jashtëm, pra të vazhdonin ta përsërisnin këtë kërkesë edhe me shkrim edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit,por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. Duhet vazhdimisht institucionet e Kosovës të insistojnë se nuk ka nevojë më për mision të OKB-së në Kosovë, se Kosova është shtet, se ka institucione funksionale, ka kushtetutë, ka rend, ka ligj dhe nuk ka më asnjë nevojë të na ofrohen shërbime të OKB-së përmes një misioni në Kosovë”, theksoi Hyseni.

Misioni i UNMIK-ut është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Qëllimi i këtij misioni është të kujdeset për paqen, sigurinë, sundimin e ligjit në Kosovë. Ky mision dikur ka numëruar 15 mijë të punësuar dhe sot janë rreth 380. Buxheti i këtij misioni prej qershorit të vitit 2017 deri qershor të 2018 ka qenë rreth 38 milion euro.

Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, 2008, institucionet e Kosovës zyrtarisht disa herë kanë thënë se rezoluta 1244 është e tejkaluar dhe nuk e përfaqëson realitetin e ri dhe se misioni i UNMIK-ut nuk ka më funksion në Kosovë.

Prishtina zyrtare ka kërkuar që misioni I UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë.

the authorE B