Aktuale

LDK kërkon rinumërimin e votave në tërë Kosovën

Kur kanë mbetur edhe pak deri në përfundimin e numërimit të votave të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës, po kërkon rinumërimin e tërësishëm të votave në tërë Kosovën.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Florian Dushi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se po kërkojnë rinumërimin e votave në tërë Kosovën, pasi besojnë se ka gabime në tërë Kosovën që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

“Ne kemi kërkuar rinumërim në shkallë vendi. Se gabimi ka ndodhur në shkallë vendi. Pra në të gjithë Kosovën. Fjala është për një gabim teknik por që mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Gjatë përshkrimit të rezultateve në formular ka pas lëvizje të renditjeve të partive. Ne kemi kërkua me u rinumërua votat edhe me u përshkrua në formularët e rijnë”, ka thënë Dushi, shkruan FaktePlus.

Ankesa në PZAP kanë dërguar edhe parti tjera, siç janë Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

“Tri subjekte politike PDK,LDK dhe Nisma AKR-PD kanë paraqitur ankesa në PZAP- me pretendimet se Formularët e Rezultateve të kandidatëve nuk kanë qenë në rregull dhe votat nuk janë regjistruar ashtu siç duhet në ata formular. A kanë kërkuar rinumërim unë nuk e di se ankesat i shqyrtojnë gjyqtarët”, ka thënë për FaktePlus, Mul Desku, kryeshef i Sekretariatit të PZAP-së.

Ende nuk kanë filluar të numërohen votat me kusht dhe ato që kanë ardhur nga diaspora. /FaktePlus