Shëndetësi

Lentet me ngjyrë mund të rrezikojnë sytë

Lentet me ngjyra rrezik për infeksione në sy Lentet kozmetike mund të shtojnë rrezikun që të përfundoni në spital dhe të humbni shikimin, thonë mjekët britanikë.

Sipas tyre, bartja e lenteve të kontaktit me ngjyra kanë një rrezik të veçantë që mund të shkaktojë dëme afatgjate. Këshilli i Përgjithshëm Optik britanik paralajmëron se mos kontrolli i sigurisë me rastin e blerjes së lenteve të kontaktit mund të shkaktojë probleme serioze për sytë.

Specialistët këshillojnë publikun që të mos flenë me lente kontakti dhe të mos lejojnë asnjëherë që lentet e tyre të bien në kontakt me ujin. Ata thonë se dëmtimi i syve nga lentet kozmetike vjen edhe si pasojë e bartjes së tyre nga më shumë se një person, sidomos gjatë festës së Halloween. “Mos njohja e përdorimit bazik të lenteve të kontaktit mund t’ju vë në rrezik të lartë nga lëndimet e syrit, infeksioneve dhe në rastet më të këqija edhe humbjen e shikimit.

Kornea është delikate dhe mund të dëmtohet nga vendosja jo e rregullt e lenteve të kontaktit. Kjo mund të ekspozojë në sy edhe infeksione të këqija”, thonë mjekët.