ShowBiz

Leonora Jakupi përveç Danit vjen edhe me një bashkëpunim tjetër

Diva e pop muzikës shqiptare, Leonora Jakupi, në një intervistë për KosovaPress foli për sukseset gjatë vitit të kaluar dhe bashkëpunimet me këngëtarë. Ajo vazhdon të qëndrojë më e fuqishme se kurrë në skenën muzikore shqipe, si me këngë ritmike, ashtu edhe me balada. Leonora është ndër këngëtaret më të pëlqyera dhe më të ndjekura edhe në rrjete sociale.

Leonora me të nisur viti publikon edhe bashkëpunimet e reja me këngëtarët Ramadan Krasniqin -Dani dhe Dritëro Shaqirin.

Hit këngëtarja nga Drenica tha se viti që shkoi ka qenë shumë i suksesshëm sepse ishte një vit me shumë këngë e koncerte, dhe atë çka është më e rëndësishmja për njeriun, kishte shëndet të mirë.

 

“Ka qenë i suksesshëm goxha shumë, një vit me shumë këngë, me shumë klipe, me shumë koncerte, por më e rëndësishmja me shëndet, kjo ka shumë rëndësi, prandaj e quaj si vit shumë të mirë. Është një bashkëpunim me Ramadan Krasniqin i cili po promovohet për hir të festave, është edhe një me Dritëro Shaqirin, po mendoj që në vitin 2017 është mjaftueshëm”, tha Jakupi.

E pyetur nga KosovaPress se cila është këshilla e Leonorës për dikë që dëshiron të bëj karrierë në muzikë, ajo tha se duhet ta duash profesionin të cilin je përcaktuar që t’i përkushtohesh.

 

“Duhet ta dojë, cilindo profesion me të cilin merresh duhet ta duash, po nuk e deshe nuk mund të jesh i suksesshëm, vetëm dashuri. Ndërsa, urimi për vitin që po hyjmë është shëndet mbi të gjitha, paqe të mira, kjo ka rëndësi”, tha Jakupi.

Leonora, është shquar gjithnjë për zërin, bukurinë, stilin dhe elegancën e saj e cila arrin t’i përshtatet çdo kohe. Ajo ishte dhe vazhdon të mbetet njëra ndër këngëtaret e cila i bën ballë kohës pavarësisht ndryshimeve të shumta që po ndodhin në botën e muzikës. /KosovaPress/