Aktuale

Liderët e partive politike pritet të takohen për demarkacionin?

Gjatë ditës së sotme pritet të takohen kryetarët e partive politike për të miratuar një draft deklaratë në të cilën do të zotohen se do të punojnë sëbashku për të zgjidhur çështjen e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se, sot, Isa Mustafa, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Visar Ymeri do të takohen që t’i japin një zgjidhje çështjes së demarkacionit që do t’i hapte rrugën liberalizimit të vizave për Kosovën.

Iniciatori i këtij takimi është Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik, i cili tha për Gazetën Express se sot po provohet një takim i mundshëm me liderët politikë.
“Po provojmë dhe momentalisht nuk mund ta konfirmoj saktë këtë takim” tha Rashiti për Express.

Ky takim vjen si pasojë e disa takimeve të mëparshme që janë mbajtur nga përfaqësues të pozitës dhe opozitës për të arritur një konsensus. Në takimin e fundit që u mbajt më 15 shtator u miratua një draft ku nga një takim ku pozita dhe opozita zotohen se do të punojnë bashkë për Demarkacionin

“Në frymën e dialogut të brendshëm politik dhe me qëllim të ruajtjes dhe konsolidimit të stabilitetit në vend, avancimit të reformave shtetndërtuese dhe integrimeve euroatlantike dhe ruajtjes e kultivimit të marrëdhënieve me të gjithë partnerët rajonal e ndërkombëtarë; Udhëheqësit e subjekteve politike parlamentare , Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA), zotohen se do të punojnë së bashku”,thuhet në një pjesë të draftit që ka siguruar Gazeta Express.