Aktuale

Limaj flet për një vjetorin e qeverisë, tregon raportet mes partnerëve të koalicionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka folur për një vjetorin e qeverisë Haradinaj.

Limaj ka thënë se ka pasur skepticizëm e vështirësi në ndërtimin e qeverisë dhe funksionimin e saj.

Megjithatë, për një vit Limaj thotë se janë kryer disa punë të mëdha, siç është demarkacioni me Malin e Zi, proces ky i cili, sipas tij, i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave.

“Jemi në fazën finale të liberalizimit të vizave. PE e dha pëlqimin. Qeverisja ditore ka pasur probleme. Duhet adresim i këtyre temave. Nuk jemi aty ku kemi pritur, por mendoj se ka qenë një vit i kësaj qeverisje goxha dinamike dhe në lëvizje”, ka thënë ndër të tjera Limaj në një intervistë për televizionin publik.

Sa i përket zotimit të Nismës, çdo familje një të punësuar, Limaj ka thënë se ky zotim është duke u realizuar.

“Premtimi çdo familje nga një të punësuar është duke u realizuar. Kur flasim çdo familje një të punësuar, njerëzit që s’kanë askënd të punësuar marrin ndihmë nga shteti. Janë dy kategori, e para janë ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar dhe që nuk kanë të gatshëm askënd për të punuar. Kategoria e dytë janë familje që kanë njerëz të gatshëm për punë dhe në kuadër të kësaj kategorie janë punësuar gjysma e atyre që i përkasin kësaj kategorie”, ka shtuar Limaj.

Raportet mes partnerëve të qeverisë, sipas Limajt janë korrekte.

“Partneriteti ushqehet, në respekt ndaj njëri- tjetrit. Është një proces që duhet mirëmbajtur. Koalicionet mirëmbahen çdo ditë. Nëse kjo nuk ndodhë ka devijime e fërkime dhe jo rrallëherë prishen koalicionet për shkak të mos ushqimit të partneritetit të vazhdueshëm. Nisma ka pasur raporte korrekte, por barra bie mbi të parin e qeverisë”, ka theksuar Limaj.