Aktuale

Limaj: Me Nismën në qeveri do të investojmë mbi 400 milionë euro në bujqësi

Kryetari i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj së bashku me kandidatët për deputetë Bilall Sherifi, Haxhi Shala, Enver Hoti dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kanë mbajtur një takim me simpatizantë dhe përkrahësit e Nismës në Banjë të Malishevës, ku Limaj shpalosi programin e partisë që e drejton dhe theksin kryesor e vendosi në punësim, bujqësi, shëndetësi dhe arsim.

Ai tha se me qeverisjen e tyre, veprimi i parë që do të bëjnë është që çdo familje të ketë një të punësuar.

“Në Kosovë ka ndodh një pabarazi e madhe këto vite dhe këtë pabarazi duhet me ndal dhe diku duhet me ia nis. Dhe Nisma për Kosovën ka vendos në programin e saj dhe veprimi i parë i saj është që më në Kosovë asnjë familje nuk guxon me mbetet pa së paku një të punësuar. Këtu fillon largimi i pabarazisë. Ne do të punojmë për të pasur edhe më shumë se kaq, ama diku huhet me fillua me hjek këtë pabarazi që është në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, e vetmja mënyrë për të zhvilluar vendin është bujqësia, ku ai premtoi 400 milionë euro investime në bujqësi.

“Në Kosovë e vetmja mënyrë për të zhvilluar vendin, me i dhënë fuqi vendit është bujqësia. Ne jemi këtu në vendlindjen tonë, kemi një tokë pjellore e mundësi të mëdha në bujqësi. Ama jo, kjo bujqësia që është bërë deri më tani, jo me dhënë një serë, subvencione, siç ka ndodhur deri më tani, i japin subvencione një serë dhe pas 6 muajsh kryhet puna, mbas një viti sërish duhet me marrë një tjetër serë. Kështu i jep komuna, ose me dhënë një lopë ose me i dhënë 100 euro për një hektarë grurë. Kështu nuk mbahet kështu, nuk zhvillohet vendi, kështu është me mbajt shpirtin gjallë. Ne duam ndryshe, për katër vitet e ardhshme 400 milionë euro do t’i investojmë në bujqësi dhe ata që e kanë njëmend me u marrë me bujqësi, duhet me nda mendjen, ata që duanë me u marrë me bujqësi, ata duhet me u marrë me bujqësi, e jo me marrë lopën e ende pa e dërguar në shtëpi me shitë”, tha Limaj.

Ai shtoi se duan një bujqësi intensive, e cila fillon me punësimin e familjes. Ndërsa, sa i përket shëndetësisë, ai tha se nuk duan që njerëzit e Kosovës të shesin gjithë çfarë kanë dhe të kërkojnë shërim jashtë vendit.

“Shëndetësia, nuk duam më që njerëzit tanë, prindërit tanë, fëmijët, gratë mos me pas përkujdesje shëndetësore dhe me shitë gjëra për me ik e me u shërua në Shkup ose diku tjetër. Kosova ka mjek sa të duash, ka kuadër plotë, Kosova ka edhe buxhet për shëndetësi si Maqedonia, problemi i Kosovës është se nuk ka pas njerëz që dinë me drejtua atje atë spital, atë repart, atë klinikë. Ne do të dërgojmë njerëzit e duhur në drejtimin e atyre klinikave”, tha ai.

Gjithashtu, i pari i Nismës, Fatmir Limaj tha se do të hapin shkolla profesionale, që elektricisti të shkojë në shkollë për elektricistë, secili të shkojë në shkollë për profesion të tij.

Së bashku me Fatmir Limajn në këtë tubim ishin edhe kandidatët për deputet, të cilët kërkuan që të përkrahet programi i Nismës, raporton KosovaPress. /kp