Aktuale

Limaj: Kuvendi si i Nismës, i ka munguar skenës politike në vend

Kryetari i rizgjedhur i partisë opozitare Nisma Për Kosovën, Fatmir Limaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka falënderuar delegatët e kësaj partie, të cilët e vendosen prapë atë në krye të partisë.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Limaj ka shkruar se do t’i shërbejë me ndershmëri, përkushtim e dinjitet familjes socialdemokrate, transmeton KosovaPress.

Ja postimi i plotë i Limajt:

Mirënjohje e thellë për të gjithë socialdemokratët e NISMA-së.

I falënderoj me respekt të gjithë delegatët e NISMA për Kosovën, që morën pjesë në Kuvendin e parë Zgjedhor, e që në fakt ishte një Kuvend model që i mungonte skenës sonë politike. Ky Kuvend na dha të gjithëve një arsye më shumë për të qenë krenarë për Nismën.

Falënderim nga zemra për të gjithë delegatët që përfaqësonin zërin e mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të Nismës, e të cilët më dhanë besimin e tyre për kryetar të NISMA për Kosovën.

Për mua është një arsye më shumë për t’i shërbyer me shpirt familjes sonë socialdemokrate, me ndershmëri, përkushtim e dinjitet.