Sport

Lionel Messi e zbulon nëse do të rikthehet apo jo tek Argjentina

Lionel Messi është i vendosur ta bëjë rikthimin e tij tek Argjentina në miqësoren e ardhshme ndërkombëtare, kundër Venezuelës, më 22 mars, pas pothuajse nëntë muajsh larg nga ekipi kombëtar, zbulon “Goal.com”.

31-vjeçari nuk e ka përfaqësuar vendin e tij që nga humbja 4-3 e Albiceleste ndaj Francës, në 1/8 finale të Kupës së Botës 2018, duke u fokusuar në detyrat e tij të klubit, me Barcelonën, deri më tani, në sezonin 2018-2019.

Fillimisht kishte dyshime nëse do të largohej përfundimisht nga detyra ndërkombëtare, por shpejt nisi të flitej se sulmuesi do ta vishte sërish fanellën Albiceleste, në vitin 2019.

“Nuk flas shumë shpesh me Messin, por kemi një marrëdhënie, – tha trajneri i ekipit kombëtar argjentinas, Lionel Scaloni, në dhjetor. – Ne do të përpiqemi që Leo të bashkohet me ne në vitin 2019. Kemi zhvilluar bisedime dhe jemi në pritje, optimistë se vendimi i tij do të jetë pozitiv. Për ne është diçka e rëndësishme. Çdo trajner dëshiron ta trajnojë atë, më shumë se çdo lojtar tjetër”.

Messi ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht kur do të kthehet përsëri në fushë me Argjentinën, por “Goal.com” zbulon se ai do të luajë në miqësoren ndërkombëtare në mars. Kjo miqësore e Albiceleste do të luhet ndaj Venezuelës, në “Wanda Metropolitano”, stadiumin e Atletico Madridit. Pra, Messi nuk do të duhet të udhëtojë shumë për të përfaqësuar sërish kombëtaren e vendit të tij.

Sulmuesi i shquar ka bërë 128 paraqitje me ekipin kombëtar, që nga debutimi i tij zyrtar në gusht 2005. Messi është i treti në listën e lojtarëve me më shumë ndeshje tek Argjentina, me vetëm Javier Mascherano (147) dhe Javier Zanetti (143), që e kanë përfaqësuar vendin e tyre më tepër.

Ai kryeson listën e golashënuesve të kombit të tij, me 65 gola, 11 të tillë më shumë se Gabriel Batistuta, i dyti. Messi ende nuk ka fituar trofe të mëdhenj ndërkombëtarë me Argjentinën në nivele të larta, pasi ka humbur finale e Kupës së Botës 2014 dhe ato të “Copa America” në vitet 2007, 2015 dhe 2016.

Ai do të kërkojë më në fund të shtojë një trofe të madh në nivel ndërkombëtar në CV e tij në “Copa America” të këtij viti, në Brazil, me turneun që do të fillojë më 14 qershor dhe finalen e planifikuar për më 7 korrik, në Rio de Janeiro.

Ndërkohë, Aguero dhe Angel Di Maria do të kthehen në kombëtaren e Argjentinës për herë të parë që nga Kampionati Botëror i Rusisë, i zhvilluar verën e kaluar. /FaktePlus