Aktuale

Lista Serbe planifikon ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për “Trepçën”

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, tha se me rastin e miratimit të Ligjit të “Trepçës”, Lista Serbe ka përgatitur një ankesë e cila do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të marrë shpjegim se” pse me këtë veprim është shkelur Kushtetuta dhe ligjet e caktuara”.

“Ne presim që të marrin mbështetje për të sjellë këtë çështje përsëri në tryezë dhe të flasim për temën në mënyrë që të zgjidhet e tërë situata”, tha ai, raportojnë mediet serbe, përcjell “Klan Kosova”.

Lista Serbe, sipas Jevtiqit, do të përdorë çdo mekanizëm ligjor dhe demokratik, për ta zgjidhur siç e quajti ai “këtë problem”.

Ministri serb tha se Lista Serbe beson se të gjitha problemet dhe marrëdhëniet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut. Po ashtu, ai tha se problemet nuk mund të zgjidhen në atë mënyrë që njëra palë të ftojë të tjerët në takim, për t’ia komunikuar pikëpamjet e veta.