Aktuale

Lista Srpska: Kodi telefonik na e sjell Asociacionin

Lista Serbe konsideron se dakordimi i mbrëmshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Beogradit e Prishtinës për telekomunikacionin, është kontribut i madh në normalizimin e marrëdhënieve

Kështu, vlerësohet nga kjo listë, në atë ardhmen e afërt kjo marrëveshje do të rezultojë edhe me “formimin shumë të pritur të Asociacionit të Komunave serbe”, transmeton Koha.net.

“Kryetarin e Qeverisë së Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq, të cilët në procesin negociator mbrojnë interesat e popullit tonë, i përgëzojmë për forcën dhe vendosmërinë që nuk lëshuan pe kur kishin presion për të pranuar marrëveshjen shumë më të keqe se sa ajo që e kemi tash”, citon b92 kumtesën e Listës Serbe.

Falë kësaj qasjeje, është penguar qëllimi për t’u plaçkitur pasuria e Telekomit, ndërsa shfrytëzuesve të shërbimit të telefonisë fikse e mobile u është garantuar nivel dhe cilësi e njëjtë shërbimi, thotë Lista Serbe.

“Shembulli i kësaj marrëveshjeje tregon se qasja e përgjegjshme ndaj interesave kombëtare në fund shpaguhet dhe presim që në vazhdim të procesit negociues Beograd- Prishtinë, interesat e popullit tonë në Kosovë do të mbrohen po me këtë forcë dhe po me këtë shkathtësi diplomatike”, thotë kumtesa.

“Ky epilog ka dëshmuar se me Qeverinë e Serbisë është më mirë dhe më e dobishme pasja e raporteve partneriteti se sa përpjekje që me presione politike e diplomatike ndaj saj të detyrohen koncesione në dëm të qytetarëve të Serbisë”, vazhdon kumtesa .

Lista Serbe ka thënë se “duam që BE si ndërmjetës dhe garant i zbatimit të marrëveshjes, edhe në vazhdimin e dialogut, të ketë mirëkuptim për interesat e Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë që nuk janë në dëm të popullit shqiptare.

Në fund të kumtesës Lista Serbe thekson se “jemi të sigurt se në Prishtinë lidhur me këtë marrëveshje do të ketë dezinformata ashtu që pranimi i kësaj marrëveshje të arsyetohet para partive më ekstremiste shqiptare, por kjo nuk mund ta prishë përshtypjen se me marrëveshje është bërë hap i madh dhe se janë mbrojtur interesat vitale serbe”.