Aktuale

Lufta për Çakorrin

Tash bëhen një vit që kur në Kosovë, tema më e përfolur e liderëve partiak e politik, është demarkacioni me Malin e Zi.

E enjtja është dita vendimtare në të cilën parashihet t’i jepet fund debatit ose lamtumira 8,200 hektarëve të tokave të Kosovës siç pretendon opozita, shkruan Gazeta Fjala.

Opozita ka paralajmëruar se do ta kundërshtoi me çdo kusht marrëveshjen politike të arritur në vitin 2015 mes Kosovë dhe Malit të zi për vendosjen e kutive shtetëror.Derisa brenda Kuvendit të Kosovës, do të zhvillohet seanca për këtë çështje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA kanë thënë se do ta kundërshtojnë nga brenda me votë. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje me protesta brenda e jashtë.Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga VV-ja, Albulena Haxhiu në një intervistë për Gazetën Fjala, ka thënë se protesta e së enjtes është alternativa e vetme për të ndalur humbjen e territoreve përmes zërit të popullit.

Kjo marrëveshje për demarkacionin nuk duhet të kalojë në asnjë mënyrë, nuk guxon të kalojë”, ka thënë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në intervistë për Gazetën Fjala.

Veteranët: Asnjë nuk keni derdhur gjak për këta kufinjë

E ata të cilët para 17 vitesh i kanë mbrojtur territoret e vendit me armë, porosisin deputetët e pozitës e opozitës, që të mendohen mirë para se të marrin ndonjë vendim që shkon në dëm të vendit.

Në një prononcim për Gazetën Fjala, kreu i OVL e UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se duhet të respektohet struktura e vendit dhe se kufinjtë dihet se kujt i takojnë.

“As pozitë e opozitë nuk kanë qenë në kufirin shtetëror. Ne e kemi kundërshtuar edhe planin e Ahtisaarit, e pikërisht ai plan ka sjell të gjitha këto të këqija që si pasoj po i bartim ne sot”, ka thënë Jashari.

Ai nuk e specifikoi se a do të jetë pjesë e protestës.Por në anën tjetër, kryetari i shoqatës së Veteranëve Xhevdet Qeriqi, ka thënë se do t’i bashkohet protestës së thirrur nga opozita.

“Unë do të dal në shesh. Nuk e di se a do të dalin edhe shokët e mi të luftës. Nëse duan të më bashkohen e dinë se ku më gjejnë”, ka thënë Qeriqi.

Njohësit e sigurisë, situatë e nxehtë me 1 shtator

Burim Ramadani, njohës i rrethanave të sigurisë, në një prononcim për mediat, ka thënë se 1 shtatori mund të mos jetë një ditë e qetë, pasi sipas tij kjo varet në atë se çfarë përgjigje do t’i jep Kuvendi Demarkacionit.

“Tashmë rreth 6 muaj kanë filluar akte të ndryshme dhune, kryesisht të nivelit më të ulët të rrezikut të sigurisë. Porse, në muajin gusht ka pasur sulme me mjete shpërthyese dhe të rënda. Madje, këto vetëm janë shpeshtuar. Për më keq, këto akte dhune kanë vetëm mesazhin e paralajmërimit për shkallën e dhunës që po vjen”, tha Ramadani.

Edhe Qendra e Transfuzionit të Gjakut ka ndërmarrë të gjitha masat që në rast nevoje, të ketë doza të mjaftueshme të gjakut në dispozicion për rastet e nevojshme.Albana Gashi, menaxhere për promovim dhe informim në këtë qendër, deklaroi për lajmi.net se janë në gjendje gatishmërie sikurse zakonisht, ndonëse për ditën e nesërme kur mbahet protesta, do të jenë edhe më të mobilizuar.

“Ne si zakonisht kemi sasi të gjakut për të gjitha rastet nëse është nevoja për nesër”, tha Gashi.“Edhe ne, ashtu si Klinika Emergjente, jemi në gjendje gatishmërie për to gjithë ata persona që kanë eventualisht nevojë për gjak”, tha Gashi

Sa kushton Çakorri

Nëse i tërë territori i kontestuar në kufi me Malin e Zi do të nxirrej në shitje do të kushtonte 400 milionë euro. Kaq është vlera e 8 mijë hektarëve që pretendohet se me demarkacion i janë marrë Kosovës në territorin e Pejës.

Gazeta Fjala ka biseduar me shitësit e patundshmërive në këtë regjion, të cilët tregojnë se një ari tokë në këtë pjesë maksimumi shitet me çmim prej 500 eurove.

“Çmimet nuk janë shumë të larta në atë zonë. Maksimumi që një ari mundet të shitet është diku rreth 500 euro”, kanë thënë drejtues të Agjencionit të Patundshmërisë Eda.

Sipas tyre zona më e shtrenjtë është ajo e qendrës turistike në Bogë, ku ari sillet rreth 5 mijë euro. Këtu, ka mbetur shumë pak tokë për tu shitur, derisa për pjesën kah Çakorri thonë se tani për tani ka pak interesim.