Aktuale

Lul Raka thotë se qytetarët dhe politikanët kontribuan në shtimin e rasteve me COVID-19

Java e fundit e qershorit dhe fillimi i muajit korrik kanë shënuar rritje të numrit të personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë. Madje, më datën 8 korrik, në vendin tonë për një ditë u konfirmuan 214 raste, duke shënuar kështu numrin më të lartë të personave të infektuar me virus që nga paraqitja e rasteve të para me virus (13 mars).

E rritjes së rasteve me COVID-19, mikrobiologu Lul Raka thotë se i kanë kontribuar të gjithë, qytetarët dhe politikanët.

Raka ka thënë se trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësuese.

“Trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues. Shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapaciteti shëndetësor i Kosovës, i cili po mbingarkohet çdo ditë.
Kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanë, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjellë. Po ashtu, nuk duhet harruar edhe të dhënat e ditëve të fundit që flasin për mutacionin e virusit, me të cilën mundësohet përhapja më e lehtë dhe e shpejtë e tij”, ka deklaruar ai.

 

 

Duke folur për situatën epidemiologjike, Raka thotë se rënie të rasteve mund të ketë vetëm nëse zbatohen strikt masat parandaluese, përndryshe trendi i përhapjes masive në komunitet do të vazhdojë.

“Nuk po kërkojmë ndonjë gjë abstrakte as të parealizueshme nga qytetari: distancë fizike, maskë dhe higjienë të duarve. Rënie mund të pritet të ketë vetëm nëse zbatohen strikt masat parandaluese. Përndryshe, trendi i përhapjes masive në komunitet do të vazhdojë”, potencoi ai.

Kurse sa i përket rikthimit të masave kufizuese, Raka thotë se karantimi i plotë është zgjedhja e fundit nga Qeveria.

“Edhe në këtë fushë janë përsëritur problemet ligjore e politike që e ngarkojnë komponentin shëndetësor. Një pjesë e masave janë ndërmarrë tashmë, kurse karantinimi i plotë është zgjidhja e fundit nga qeveria”, theksoi ai për Telegrafin.

Ndërkaq, që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më tani në Kosovë më coronavirus janë infektuar 4 mijë e 307 persona, 2 mijë e 118 janë shëruar kurse janë regjistruar edhe 94 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publikë në Kosovë ka bërë të ditur se aktualisht në vendin tonë raste aktive me virus janë 2 mijë e 118.

Komunat që kanë më së shumti qytetarë të infektuar me virusin COVID-19 janë: Prishtina 1 mijë e 209, Vushtrria 397 raste, Prizren 377 raste, Ferizaj 321 raste, Gjilan 252 raste Pejë 202 raste, Mitrovicë 198 raste, Fushë Kosovë 180 raste.

the authorGazetaKNN