Shëndetësi

Lumenjtë e botës po mbushen me antibiotikë

Sipas studimit më të madh për praninë e prodhimeve farmaceutike në lumenj, qindra lumenj në mbarë botën, duke nisur nga Temza te Tigri, janë të mbushur me nivele të rrezikshme të antibiotikëve.

Ndotja me antibiotikë është një nga mënyrat kryesore që ua mundëson baktereve zhvillimin e rezistencës ndaj barnave që shpëtojnë jetë, duke i bërë kështu të paefketshme për përdorim nga njerëzit. “Një pjesë e madhe e gjeneve rezistente që i gjejmë në patogjenët njerëzorë kanë prejardhje nga bakteret mjedisore”, tha prof.William Gaze, ekolog në Universitetin e Exeterit.

Muajin e kaluar, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se shtimi i baktereve që janë rezistente ndaj antibiotikëve paraqet emergjencë shëndetësore globale dhe mund ta shkaktojë vdekjen e 10 milionë njerëzve deri në vitin 2050.

Këto barna arrijnë deri në lumenj dhe tokë përmes jashtëqitjeve të njerëzve dhe kafshëve, rrjedhjeve nga impiantet për trajtimin e ujërave të zeza dhe nga prodhimi i ilaçeve. “Është goxha e frikshme dhe stresuese. Mund të kemi pjesë të mëdha të mjedisit që janë ndotur me antibiotikë në nivelin që të ndikohet rezistenca”, tha Alistair Boxall, shekncëtar mjedisor në Universitetin e Yorkut.

Hulumtimi i prezantuar në një konferencë në Helsinki tregon se disa nga lumenjtë më të njohur të botës janë të ndotur me antibiotikë që cilësohen si shumë të rëndësishëm për trajtimin e infeksioneve serioze. Niveli i tyre i lartë në lumenj nënkupton se rezistenca e baktereve ka më shumë gjasa të zhvillohet dhe të shpërndahet, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli