Aktuale

Malazezët kërkojnë që betimi i deputetëve serbë të jetë publik

Ndonëse ende nuk dihet se kur do të formohet Qeveria e re e Kosovës dhe kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, Shoqata e Malazezëve të Kosovës ka kërkuar që betimi i deputetëve serbë në Kuvendin e vendit të jetë transparent dhe publik.

Siç thuhet, në kërkesën e malazezëve të Kosovës, të cilin e përcjell portal “Kossev” në veri të Mitrovicës, në atë mënyrë deputetëve serbë do t’u pamundësohet të vazhdojnë ta mashtrojnë popullin serb të Kosovës, siç kanë bërë deri më tani.

“Saktësisht qytetarëve do t’u bëhet e qartë se edhe deputetët e ardhshëm të Listës Serbe, si dhe të tjerët, ‘do të betohen se do ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës’.

Është koha që të bien maskat dhe që populli ta dijë të vërtetën, se ata që në të ardhmen shkelin betimin si dhe me aktivitetet e tyre cenojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit të vet të nxirren para drejtësisë”, kanë thënë malazezët në kërkesën e tyre.

Në pritje të formimit të Qeverisë së Kosovës teksti i betimit, që do të gjendet para deputetëve të legjislacionit të ri të Kosovës, do të jetë:“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder dhe me përkushtim do ta bëj detyrën time dhe se me krenari do ta përfaqësoj popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe integritetin institucional të Kosovës, do të angazhohem për garantimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut, në pajtim me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane. Betohem”. shkruan “Zeri”.

Sipas Shoqatës së Malazezëve të Kosovës betimi i deputetëve serbë duhet të jetë transparent dhe publik, që ta shohin dhe ta dëgjojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që ata të mos mundë t’i mashtrojnë serbët e Kosovës.