Sport

Man Unitedi s’dorëzohet për Sanchon

Manchester Unitedi nuk është i gatshëm të dorëzohet për transferimin e Jadon Sanchos, përkundër që Borussia Dortmund insiston se sulmuesi anësor nuk do të largohet nga klubi këtë verë.

Jadon Sancho është bërë prioriteti numër një për trajnerin Ole Gunnar Solskjaer këtë verë, pasi që Manchester Unitedi dhe Borussia Dortmundi kanë qenë duke e negociuar të ardhmen e tij gjatë javëve të fundit, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Dortmundi e caktoi datën 10 gusht si afatin e fundit për Manchester Unitedin për ta kompletuar transferimin e 20-vjeçarit, pasi që gjiganti gjerman më këtë datë e nisi kampin parasezonal në Zvicër.

Sancho ishte pjesë e skuadrës së Lucien Favre që udhëtoi drejt Zvicrës për përgatitjet parasezonale dhe pasi marrëveshja mes dy klubeve nuk u arrit, drejtori sportiv Michael Zorc sugjeroi të hënën se shpresat e Unitedit për transferimin e Sanchos kanë marrë fund.

“Jadon Sancho do të luajë me ne sezonin e ardhshëm. Vendimi është përfundimtar. Mendoj se kjo jep përgjigje për të gjitha pyetjet e juaja”, u shpreh Zorc.

“Verën e kaluar ne ia ndryshuam Jadonit pagën për t’iu përshtatur zhvillimit të performancave të tij. Kështu që, tashmë ne e kemi zgjatur kontratën e tij deri më 2023, qysh më parë”.

Megjithatë, media të shumta britanike raportojnë se Manchester Unitedi nuk do të dorëzohet për transferimin e talentit anglez, përkundër që është i irrituar me ngadalësinë me të cilën po shkojnë negociatat, që, sipas kërkesës së Dortmundit, po menaxhohen nga një agjent i pavarur.

Edhe Sancho raportohet të jetë i interesuar për një transferim në Old Trafford dhe mediumet e mëdha evropiane raportojnë se për transferimin e tij nuk është pengesë marrëveshja mes lojtarit dhe Djajve të Kuq, por vetëm mes këtyre të fundit dhe klubit gjerman.

the authorGazetaKNN