Sport

Mancini: Zaniolo mund të bëhet futbollist i jashtëzakonshëm

Trajneri i ekipit kombëtar të Italisë, Roberto Mancini, beson se ylli i Romës, Nicolo Zaniolo, mund të zhvillohet në një futbollist të jashtëzakonshëm.

Nicolo Zaniolo, 20-vjeçar, ka qenë në formë mbresëlënëse që kur u transferua në Romë nga Interi në vitin 2018, edhe pse në janar e pësoi një lëndim serioz në gju, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Mancini beson se Zaniolo – që ka luajtur pesë herë për ekipin kombëtar të Italisë, mund të bëhet yll nëse mbetet i përqendruar te karriera e tij.

“Nëse ai vazhdon të stërvitet seriozisht dhe ta jetojë jetën siç duhet ta jetojë një atlet, ai mund të bëhet një futbollist i jashtëzakonshëm”, tha Mancini, në një intervistë të dhënë për Roma TV.

“Ai është i ri dhe nuk ka luajtur ende në shumë ndeshje në Serie A, kështu që nuk ka shumë përgjegjësi mbi shpatullat e veta”.

“Mendoj se ai nuk e ka gjetur ende rolin e tij. Ai mund t’i bëjë dy apo tri role të ndryshme. Ai është njëri ndër ata lojtarë të rinj që mund të përmirësohet brenda një viti, do të shërohet nga lëndimi”.

Zaniolo pritej të mungonte në Kampionatin Evropian, mirëpo koronavirusi ka bërë që kjo garë të shtyhet për verën e vitit 2021, që do të thotë se Mancini mund të ketë mundësi të llogarisë në Zaniolon.

“Zaniolo mund të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm. Ai është ende shumë i ri, do ta ketë edhe një vit në dispozicion për t’u përmirësuar. Shpresa ime është që t’i kem të gjithë lojtarët në dispozicion dhe ta kem të vështirë ta zgjedh skuadrën”, shtoi Mancini.

the authorGazetaKNN