Rajon & Botë

Manifestim në Barcelonë pas atentatit në Ramblas

Me lule në duar, mijëra spanjollë dhe të huaj priten sot në Barcelonë për një manifestim gjigant në reagim ndaj atentateve xhihadiste vdekjeprurëse të 17 dhe 18 gushtit.

Më shumë se 16 000 persona, sipas policisë, kishin marrë pjesë në një marshim kundër terrorit dje në mbrëmje në Kambril, qytet bregdetar katalanas ku kishte ndodhur njëri prej dy atentateve.

Kreu i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy, i bëri thirrje sot gjithë botës të marrë pjesë në këtë manifestim të organizuar nga qeveria katalanase dhe bashkia e Barcelonës, pas atentatit të dyfishtë në Barcelonë dhe Kambril, ku u vranë 15 persona dhe më shumë se 120 të tjerë u plagosën nga rreth 30 kombësi të ndryshme. Gjashtë prej të plagosurve vazhdojnë të jenë në spital në gjendje kritike.

“Me gjithë shoqërinë katalanase dhe gjithë Spanjën, ne do të japim një mesazh uniteti, kundërshtimi të terrorizmit dhe afeksioni për qytetin e Barcelonës”, deklaroi kryetari konservator.

Asnjë prej krerëve të qeverive të huaja nuk pritet në këtë parakalim ku slogani “No tinc por” (nuk kam frikë) do të mbahet nga manifestuesit në shumë gjuhë të botës.