Aktuale

MAPL shpërblen gjashtë komuna me performancë më të lartë

Komuna e Junikut prin me 73.57 për qind të performancës më të lartë të treguar sipas një raporti të performancës për komuna të prezantuar nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), e cila me këtë rast shpërbleu 6 komunat që treguan performancë më të lartë për 2016.

Pas komunës së Junikut vjen komuna e Shtimes me 70.14 për qind, Komuna e Prizrenit 67.90 për qind, ajo e Istogut me 66.99 për qind, Gllogoci me 66.65 për qind, si dhe Komuna e Prishtinës me 66.12 për qind.

Sipas këtij raporti, komunat për vitin 2016, kanë arritur performancë të përgjithshme prej 58.67 për qind, ndërsa si komuna me të arriturat më të vogla, sipas këtij raporti, është ajo e Mamushës me 31.10 për qind.

Rozafa Ukimeri nga MAPL, tha se në bashkëpunim me USAID dhe donatorët e tjerë kanë arritur që të avancojnë sistemin e menaxhimit të matjes së performancës.

Ajo theksoi se në vitin 2016, për herë të parë vërehet ulje e shkeljeve ligjore nëpër komuna.

“Një platformë e re e zhvillimit të vetëqeverisjes lokale sipas parimeve të garantuara të qeverisjes së mirë, mund të bëhet vetëm nëse cilësia e shërbimeve për qytetarët është në nivelin më të lartë. Në këtë proces sigurisht se edhe bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe lokal ka dhënë rezultate inkurajuese sa i përket zbatimit të ligjshmërisë nëpër komuna. Dhe për herë të parë në vitin 2016 kemi një ulje të dukshme të shkeljeve nëpër komuna, që është deri në nivelin 21 për qind, progres i cili është evidentuar edhe nga raporte kredibile nga institucione të Kosovës”, tha Ukimeri.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, tha se ky asociacion është përpjekur të japë maksimumin në matjen e performancës dhe se këtë herë sistemi i performancës ka pasur avancim krahasuar me matjet e kryera viteve të kaluara.

“Konsiderojmë se ky sistem i vlerësimit të performancës në raport me raportet e performancës që kemi parë deri tash është më i avancuar, më i thjeshtë, ka më pak indikatorë matës, gjë që krijon mundësinë për një matje më të drejtë. Mirëpo, kryetarët e komunave kanë dhënë vërejtjen që edhe ky sistem, sikurse edhe shume reforma tjera nuk kanë pikë dhe nuk duhet të kenë pikë, që të japim kontributin që të kemi një sistem edhe më perfekt në të ardhmen”, tha Ismajli.

Gjatë prezantimit të Raportit të Performancës për Komuna, u vlerësua lart puna që do të bëjë auditori në këtë rast në mënyrë që siç u tha, të maten dhe të dizajnohen politikat dhe reformat e avancimit të mëtutjeshëm të komunave.

Auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, tha se do të sigurohen që përmes auditimit t’i japin gjithë informacionin e plotë dhe vlerësimin lidhur me sistemin e MAPL-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, grantet që do të jepen nga MAPL-ja dhe donatorëve në proporcion me vlerësimin e performancës, vlerësohen të jenë stimulim i mëtutjeshëm për komunat./KP/