Aktuale

Maqedoni, rritet numri i martesave nën 18 vjet

Nuk janë të pakta martesat midis të miturve nën moshën 18 vjeçare në vendin tonë, derisa kjo dukuri më së shpeshti ndodh tek etniteti rom, shkruan gazeta KOHA.

Disa nga arsyet janë mungesa e arsimimit, tradita, varfëria, papunësia… Vetëm vitin e kaluar janë martuar mbi 100 femra të moshës nën 18 vjeçe, thonë të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror për Statistikë të Maqedonisë.“Në vitin 2014 janë martuar 13 meshkuj dhe 163 femra të moshës nën 18 vjet.

Në 2015 janë martuar 5 meshkuj, ndërsa 135 femra të moshës nën 18 vjet, ndërsa vitin e kaluar – nën moshën 18 vjeçare janë martuar 7 djem dhe 119 femra”, thonë për KOHA nga Enti Shtetëror për Statistikë e Maqedonisë.Për momentin, në Maqedoni nuk ka shumë hulumtime që merren më seriozisht me këtë problematikë. Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve – UNICEF, vitin e kaluar në raportin e saj vjetor mbi gjendjen e arsimimit dhe martesave të hershme, ndërsa sa i përket Maqedonisë – publikoi se më së shpeshti – vajzat rome martohen nga mosha prej 15 deri 19, në krahasim me ato shqiptare dhe maqedonase që janë më të rralla.

Martesat e fëmijëve tek romët përfaqësohen me 22 për qind në krahasim me shqiptarët, ku janë 6 për qind ndërsa maqedonasit me 2 për qind, thuhet në raportin e UNICEF-it.Efektet negative të martesës së hershme të vajzave të vogla tashmë janë të njohura. Atyre u mohohen shanset e shkollimit dhe zhvillimit, ndërsa u rriten rreziqet shëndetësore. Sipas të dhënave të organizatës së OKB-ve për fëmijët – UNICEF, në të gjithë botën martohen 15 milionë vajza para moshës 18 vjeçe, madje disa prej tyre sapo kanë mbushur 10 vjeç.

Sipas Ligjit për familje të Maqedonisë, kushtet për realizim të martesës, konkretisht Neni 16 i Ligjit për familjen thotë se Gjykata kompetente mundet në procedurë jashtëkontestimore të lejojë martesën e personit qe ka mbushur 16 vjet vetëm nëse vërteton se personi ka arritur pjekuri trupore dhe shpirtërore për kryerjen e të drejtave dhe obligimeve që i sjell martesa, pas marrjes paraprake të mendimit nga Shtëpitë e Shëndetit dhe ndihmës profesionale të Qendrës për Punë Sociale.

Në përgjithësi, numri i martesave të lidhura në tremujorin e dytë të këtij viti shënon rritje për 7.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë nga viti 2016. Në këtë periudhë, raporton KOHA, janë lidhur 3447 martesa, tregojnë të dhënat nga Enti Shtetëror për Statistikë.Pothuajse dyfish më shumë rritje në periudhën e njëjtë shënojnë edhe divorcet. Në këtë tremujor janë shkurorëzuar 436 martesa, që sipas ESHS-së – është rritje prej 13.5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016.Gjithashtu, sipas Entit Shtetëror për Statistikë – në tremujorin e dytë të vitit në Maqedoni janë regjistruar për 7.2 për qind më pak fëmijë të lindur të gjallë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Numri i fëmijëve të lindur të gjallë në tremujorin e dytë të këtij viti arrin 5205.Sipas ESHS-së, ulje në periudhën e njëjtë shënon edhe numri i personave të vdekur edhe atë nga 6.1 për qind në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2016 dhe arrin 4544 persona, ndërsa prej tyre – 54 janë foshnja të vdekura. Rritja natyrore arrin 661 persona, që do të thotë për aq persona numri i fëmijëve të lindur të gjallë është më i madh nga numri i personave të vdekur.