Sport

Martohet Messi

Ylli i futbollit argjentinas dhe botëror, Lionel Messi u martua me dashurinë e tij të fëmijërisë, Antonella Roccuzzo, në qytetin e lindjes Rosario, në Argjentinë.

Ceremonia u mbajt në qytetin e lindjes së çiftit, Rosario, në një nga komplekset më luksoze në hotel Pullman, në brendësi të City Center.

Në ceremoninë e quajtur në Argjentinë si “dasma e shekullit”, morën pjesë rreth 260 të ftuar, ku shumica e tyre i përkasin botës së futbollit.

Dëshmitarë të dasmës ishin pesë vëllezërit dhe motrat e çiftit: Rodrigo, Matias, Maria Sol Messi, Paula dhe Carla Roccuzzo. Momenti i shkëmbimit të unazave u shoqërua nga zëri i një këngëtare të njohur argjentinase.

Pas ritit të shkurtër civil i celebruar përpara edhe fëmijëve të tyre Thiago (4 vjeç) dhe Mateo (1), Lio e Antonella kanë dalë për një moment nga hoteli për të përshëndetur shtypin dhe të fotografoheshin.

Antonella kishte një fustan të bardhë me një bisht të gjatë dhe supet e zbuluara, ndërsa Leo një kostum të errët.

Përpara ceremonisë përgjatë tapetit të kuq, në hyrje të hotelit ishte një paradë e futbollistëve dhe ish-futbollistëve të Barcelonës, mes të cilëve Cesc Fabregas, Carles Pujol dhe Xavi Hernandez, të gjithë të shoqëruar nga të dashurat e tyre.

Mes të ftuarve binte në sy Pique me të fejuarën e tij Shakira, partnerët e Messit në sulmin e Barcelonës, Suarez dhe Neymar, etj., ndërsa një pjesë e mirë e tyre kanë mbërritur në Rosario me avionë privatë.