Arsim & Kulturë

Mbi 100 të punësuar me kontratë mbi vepër në ministri të Kulturës

Gjatë shqyrtimit të raportit të Auditorit të Përgjithshëm në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare për ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), kryetari i këtij Komisioni, Faton Topalli tha se në bazë të të gjeturave nga raporti del se ka keqpërdorime të mëdha buxhetore dhe financiare në ministrinë e Kulturës.

Topalli tha se në bazë të këtij raporti ka punësime të parregullta në ministri të Kulturës, që janë bërë me rreth 100 punësime. Sipas tij, në vitin 2014 janë 62 punësime, ndërsa në vitin 2015 janë 38, edhe për kundër vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm.

Ai tha se karshi opinionit të kualifikuar dalin edhe një varg problemesh tjera nga ky raport. Topalli ka numëruar  shkurtimisht disa prej problemeve që dalin nga raporti i auditimit, i cili tha se ka të bëjë me përdorimin e subvencioneve, ku gjatë viteve të kaluara 6 milionë euro subvencione janë shpërndarë për projekte të ndryshme pa u arsyetuar fare.

Kjo do të thotë, sipas Topallit, që ministria i ka ndarë mjetet por nuk ka pasur arsyetim se si janë shfrytëzuar ato mjete.

 

“Pastaj kemi keqpërdorim të buxhetit të Ministrisë, p.sh. 249 mijë e 313 euro për mallra dhe shërbime janë paguar nga mjetet e parapara për subvencione dhe transfere. Tjetra, është pastaj se nga mallrat dhe shërbimet 52 mijë e 232 euro janë paguar për subvencione dhe transfere dhe 7 mijë e 107 euro për paga dhe mëditje. Nga pagat dhe mëditjet janë paguar pastaj 69 mijë 671 euro për mallra dhe shërbime. Pra kemi një kaos në kuptimin e shfrytëzimit të buxhetit”, tha Topalli i cili është nga radhët e LVV-së.

Topalli tha se për shumicën nga të punësuarit nuk kishte as kërkesa nga Departamentet përkatëse.

Mirëpo, në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala gjatë raportimit para këtij Komisioni, tha se nuk ka vërejtur asnjë keqpërdorim financiar në vitin 2015, në ministrinë që ai drejton. Duke folur për 6 milionë euro të subvencioneve, ai ka arsyetuar se kjo i përket periudhës nga viti 2010-2014.

Shala tha se sa i përket punësimit të 100 personave në ministrinë që ai drejton,  nuk janë punësime por angazhime të zyrtarëve për punë të veçanta.

 

“Unë nuk kam vërejtur asnjë keqpërdorim financiar me atë sa kam arritur të merrem me çështje drejtpërdrejt gjatë vitit 2015. Ato që i theksoni ju si keqpërdorime vërtet janë bartje brenda buxhetit. Ka raste që kontratat për shërbime të veçanta ose kontrata për punë mbi vepër të cilat janë bërë nga subvencionet, dhe ka vetëm një arsye. Sepse pjesa më e madhe e njerëzve që angazhohen ato nuk janë punësime, janë angazhime. Nuk janë punë të rregullta. Dhe janë për shkak të specifikave të Ministrisë së Kulturës”, tha ministri Shala.

Ndërsa, anëtari tjetër i Komisionit për Mbikëqyrje Financiare, Avdyl Ymeri, për punësimet me kontrata mbi vepër, tha se duhet të angazhohen njerëz ekspert, e jo siç po ndodhë në MKRS dhe të tjera ministri, për kinse për nevoja të veçanta.

 

“Një çështje që është shumë e dukshme në të gjitha ministritë, jo vetëm tek ju. Ka kontrata për shërbim të veçanta, 100 punëtorë. Shikoni ligjin askund nuk thotë që duhet më pasur punëtorë me kontratë mbi vepër , janë duke e shfrytëzuar një nen sikur në këtë rast. Andaj, mua më intereson, a janë këta 100 persona që janë të punësuar vërtet ekspertë të cilët ju ishin dashur Ministrisë?… sepse unë konsideroi se në raste të tilla punësohen vetëm ata që janë ekspertë të fushës së caktuar të ndonjë Ministrie”, tha deputeti Ymeri nga radhët e PDK-së.

Sa i përket planifikimit dhe realizimit të buxhetit , Ymeri tha se është vërejtur një ngecje në realizimin e projekteve kapitale në Ministri të Kulturës.

Anëtari tjetër i Komisionit që vjen nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqaj tha se të gjeturat nga raporti i auditorit janë njësoj sikur për të  gjitha ministritë tjera të Qeverisë Mustafa. Ai ka pasur vërejtje tek vonesat e përfundimit të kontratave për projekte kapitale dhe mos implementim të rekomandimeve të cilat janë dalë nga auditori.

Po ashtu edhe anëtari i Komisionit, Enver Hoti, nga radhët e Nisma, tha se të gjeturat nga ky raport janë me të vërtet janë shqetësuese. Ai tha se ka pasur keqpërdorime  në planifikimin dhe realizmin e buxhetit.

Ndryshe, rreth 14 rekomandime të auditorit nuk janë adresuar fare nga MKRS dhe ka pasur dobësi në prokurim, ku për palestrën sportive në Istog rreth 84 mijë e 759 janë dhënë pa u përfunduar projekti. Po ashtu ka pasur edhe kompensime jashtë orarit të punës për disa të punësuar.

Komisioni kishte në rend të ditës shqyrtimin edhe të raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Ministrinë e Drejtësisë (MD), ku e ftuar në Komision kishte qenë edhe ministrja Dhurata Hoxha, por në mungesë të saj dhe të ndonjë zyrtari të MD-së, Komisioni vendosi ta shtyj për një date tjetër shqyrtimin e këtij raporti./KP