Sport

Mbrojtësi kryesor i Çekisë me fjalë të mëdha për Kosovën

Rritja e madhe e Kosovës në dy vitet e fundit ka bërë jehonë në gjithë botën.

Të kërkosh Kampionatin Evropian që në kualifikimet e para, është befasi për shumë kë, por jo edhe për lojtarët dhe tifozët e Kosovës, që janë vënë në ndjekje të ëndrrës së tyre të madhe.

Mbrojtësi me përvojë i Çekisë, Ondrej Cesustka, në një intervistë për sport.cz, thotë se Kosova është dashur të jetë autsajdere e grupit, por me lojën e tyre të mirë po shihet si kandidate për një vend që dërgon në Euro 2020.

30 vjeçari thotë se në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do të kërkojnë fitoren, por shton se kjo gjë nuk do të jetë edhe e lehtë.

“Kosova është dashur të jetë autsajdere e grupit, por nuk është kështu. Ata duken më mirë se malazezët ose bullgarët”, ka deklaruar Ondrej Cesustka, përcjell lajmi.net.

“Siç na thanë edhe trajnerët, ata nuk dinë për humbje që 14 ndeshje radhazi. Edhe pse nuk kanë pasur kundërshtarë të fortë, në një linjë të tillë kjo tregon diçka pozitive për ekipin dhe ngrit besimin”.

“Lojtarët e tyre luajnë në klube cilësore evropiane. Sidomos në shtëpi, në një mjedis të stuhishëm, ata janë shumë të fortë si ekip kombëtar. Ata janë të rinj në UEFA dhe FIFA, dhe duan të paraqiten mirë”./Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli