Aktuale

Mehmeti: Drejtuesit e BDI-së të bëjnë që “Rahman Morinat” të të duken heronj kombëtarë

Publicisti Kim Mehmeti në një postim në faqen e tij personale në facebook ka kritikuar ashpër BDI-në, duke theksuar se kjo parti i solli shqiptarët njëlloj sikur në periudhën e spastrimit brutal dhe gjenocidit serb të udhëhequr nga Rankoviç, transmeton INA.

“Mediat raportojnë se një polic maqedonas ka pranuar likuidimin e dy heronjve kosovarë, pas arrestimit të tyre gjatë natës së Tradhtisë së Madhe në Kumanovë!? Mediat raportojnë se në ditën e përvjetorit të vrasjes së Komandant ‘Shqiponjës’ nga Kumanova, gjykatësja shqiptare e ka liruar nga burgu të dyshuarin për vrasjen e tij!? Mediat për çdo ditë raportojnë për përbuzjen dhe nënçmimin që u bëhet shqiptarëve të këtushëm, por në ndërkohë, askush nuk dinë të shpjegojë si ndodhi që një popull me alamet intelektualë, me qindra profesorë, me disa dhjetëra mi studentë, me shkrimtarë e shkencëtarë…, si dhe me dy shtete amë – Shqipëri e Kosovë – të mbetet në mëshirën e regjimit antishqiptarë DPMNE-BDI!? Ku ta dish, mbase e gjitha ka të bëjë me atë që edhe shumicës prej nesh, me në krye Tiranën e Prishtinën zyrtare – njëjtë si edhe sunduesve të këtushëm maqedonas – na parapëlqejnë ‘vasalët’ kokëtula, si dhe garniturat e komprometuara e injorante politike shqiptare, si këto të BDI-së, që janë më të përdorshme për biznese dhe punë të pista?! Me çka edhe i sollëm shqiptarët e Maqedonisë këtu ku janë tani: ta rijetojnë kohën e Rankoviqit dhe, në krahasim me disa nga drejtuesit e sotëm të BDI-së, ‘Rrahman Morinat’ e socializmit, t’u duken si heronj kombëtarë! Pra e zhytëm popullin në këtë vorbull, ku shkuma e amoralitetit, e degjenerimit dhe e jonjerëzores, është duke mbytur çdo gjë të vlefshme që kemi dhe është duke na barazuar të gjithëve me plehun politik që e prodhuam gjatë dekadës së fundit!”, shkruan Mehmeti.