Rajon & Botë

Meksika shënon rekord të rasteve ditore të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid-19

Meksika ka raportuar rekorde të reja ditore të koronavirusit të enjten, duke dëshmuar se situata me pandeminë është duke u përkeqësuar më shumë sesa gjatë valës së parë pranverën e kaluar.

Të enjten, në këtë shtet për 24 orë u regjistruan 22.339 raste të reja të infektimeve dhe 1.803 të vdekur, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Rritja e numrit të rasteve ka bërë që spitalet të “vërshohen” nga pacientët. Kryeqyteti Mexico City është epiqendra e pandemisë. Spitalet në këtë qytet janë 89 për qind të mbushura me pacientë.

Vështirësia për të gjetur vende të lira në spitale i ka detyruar shumë familje që t’i trajtojnë të afërmit e tyre në shtëpi. Në këtë shtet tani po vërehet edhe mungesa e oksigjenit dhe rritja e çmimit të tij.

Gjendja e rëndë ka ndikuar që shumë njerëz të përpiqen që të infektuarit t’i trajtojnë me ilaçe shtëpiake, përfshirë disa pajisje oksigjeni për të cilat zyrtarët kanë thënë se janë të rrezikshme.