Aktuale

Memli Krasniqi: Nuk jemi kundër zgjedhjeve të parakohshme

Nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi thotë se Partia Demokratike e Kosovës është “pro” zgjedhjeve të parakohshme. Thotë se vendi ka shumë probleme të pazgjidhura. Sipas tij, askush nuk duhet t’i vendos interesat e veta përpara atyre të qytetarëve.
Ai ka folur për Gazetën Express edhe rreth mocionit të NISMA-s për votëbesimin e Qeverisë.

Krasniqi, a i vlerësoni deklarimet e djeshme te Kryeministrit Mustafa si te drejtuara kundër PDK-së?

Krasniqi: Nuk është tani momenti për deklarime relativizuese me karakter elektoral, sepse si vend kemi shumë punë të pakryera dhe probleme të pazgjidhura. Partitë serioze kur marrin përgjegjësi qeverisëse nuk mendojnë për pozicionin e tyre, por për pozicionin e vendit dhe ne duhet të jemi realistë përballë gjendjes në të cilën jemi. Na duhet një dinamikë e re në qeverisje dhe guxim për të marrë vendime të rëndësishme që ka shumë kohë që po zvarriten. Ju e dini që këtë e kane kërkuar në vazhdimësi edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, deri tek ish-zëvendës presidenti amerikan Joe Biden, dhe deri tash ne kemi ngecur në marrjen e disa vendimeve kruciale për të ardhmen e vendit.

A është PDK në favor të zgjedhjeve të parakohshme?

Krasniqi: Nëse është krijuar një status kuo që nuk lejon lëvizjen përpara të vendit, nuk është asgjë e jashtëzakonshme që të shqyrtohen të gjitha opsionet që krijojnë një momentum të ri pozitiv. Tek e fundit, çfarëdo opsioni që mund të shërbejë për zhbllokimin e proceseve të cilat janë në të mirën e qytetarëve të vendit, si bie fjala liberalizimi i vizave apo krijimi i ushtrisë, atëherë askush nuk do te duhej të vendosë interesat individuale apo grupore para interesave të qytetarëve dhe të vendit tonë.

A do ta mbështesë PDK mocionin e nisur nga NISMA për votëbesimin e Qeverisë?

Krasniqi: Ne nuk e kemi diskutuar këtë çështje, por besoj është e qartë për të gjithë se një pjesë e opozitës nuk mund të bartë procese që kanë ndikim real në zhvillimet politike të vendit. PDK është partia me e madhe ne vend dhe vendime të tilla mund të marrin vetëm partitë serioze dhe me legjitimitet qytetar të qëndrueshëm. Partnerët që e kanë krijuar koalicionin janë ata që mund të vendosin edhe për të ardhmen e tij.