Tech

Mercedes-AMG Project One, gati për debutim (Foto)

Mercedes-AMG hiper-veturën e saj të re, Project One, zyrtarisht do ta prezantojë në panairin e veturave në Frankfurt, ku edhe do të shënojë 50 vjetorin.

Ndërsa tani, është publikuar një fotografi përmes së cilës Mercedes-AMG paralajmëron se Project One shumë shpejt do ta mbajë premierën botërore.

Mercedes-AMG Project One, sipas njoftimeve të mëparshme nga fabrika, do të kushtojë 2.275.000 euro.

Duhet theksuar se kjo hiper-veturë do të legalizohet për vozitje në të gjitha rrugët dhe se do të jetë në dispozicion me teknologjinë nga Formula 1.

Hiper-vetura Project One do të vijë me motor 1.6-litër V6 Turbo, nga Formula 1, me kapacitet prej 759 kuajfuqi dhe katër motorë elektrikë – tre me kapacitet prej 120 kW/ 163 kuajfuqi dhe njëri me 80 kW/ 109 kuajfuqi, përcjell Koha.net. Motorët elektrikë kanë baterinë litium-jon dhe kjo hiper-veturë vjen me sistemin e tërheqjes në të gjitha rrotat dhe marshin manual të automatizuar me tetë shpejtësi.

Fuqia e kombinuar e Mercedes-AMG Project One në total është 1035 kuajfuqi dhe duhet theksuar se kjo hiper-veturë do të mund të lëvizë edhe vetëm me motorë elektrikë, ku do të mund të kalojë deri në rreth 30 kilometra.