Arsim & Kulturë

Mesazhi i Rektorit të Kolegjit AAB

Të dashur studentë,

Gjendemi tashmë në një situatë të pazakontë, e cila gjeneratës time i kujton shtëpitë-shkolla të viteve nëntëdhjeta, ku dallon vetëm burimi i rrezikut.
Në ato kohëra, rreziku dihej nga vinte dhe shihej se kush ishte, kurse tani ai është i padukshëm, por njëjtë vdekjeprurës. Këtë herë armiku është një virus shkatërrues COVID-19, por në këtë betejë jemi bashkë me gjitha vendet e botës.
Në këto rrethana, Kolegji AAB u mobilizua menjëherë dhe pothuajse pa shkëputje arriti të bartë mësimin prej hapësirave universitare në platformën e vet elektronike, në të cilën tashmë ju keni qasje.
Stafi ynë i IT me profesionalizëm dhe kreativitet arriti të avancojë platformën e mësimit në distancë edhe me komunikim vizual (video).
Implementimi i ligjëratave në distancë po realizohet pothuajse 100%, me vijueshmëri të studentëve që ka tejkaluar gjithë pritshmërinë.
Mua dhe menaxhmentit të Kolegjit AAB na mbetet të ju përgëzojmë për angazhimin dhe devotshmërinë.
Shfrytëzoj këtë rast t’i ftoj edhe studentët tjerë që për ndonjë arsye nuk kanë mundur të inkuadrohen gjerë më tani në platformën e ligjëratave online. Ju lutem mos rrezikoni vitin tuaj akademik dhe mos humbisni rastin që nëpërmjet studimeve online të jepni kontributin tuaj të çmueshëm, për ta përballuar me sukses këtë situatë sfiduese për gjithë.

Të dashur studentë,
Ju dëshirojmë shëndet juve dhe familjeve tuaja!
Mirupafshim në ligjëratën e radhës!

Gjitha të mirat,
Bujar Demjaha
Rektor