Sport

Mësohet e vërteta për transferimin e Neymarit në Barcelonë

Susana Monje që është zëvendës presidente për çështje ekonomike te Barcelona, ka treguar sesa i ka kushtuar Neymar klubit.

Sipas Monjes transferimi i Neymarit në ‘Camp Nou’, ka kushtuar vetëm 19.3 milionë euro.

Gazeta ‘Sport’, citon fjalët e Monjes e cila tregon se fillimisht Barça i ka paguar Santosit 17.3 milionë, kurse pas nominimit të tij në top-treshe për ‘Topin e Artë’, është detyruar të paguajë edhe dy milionë shtesë, transmeton KosovaPress.

“Ka qenë një marrëveshje speciale, për një futbollist i cili ka qenë finalist për ‘Topin e Artë’. Dua ta përgëzoj lojtarin që ka zgjedhur Barcelonën, duke e ditur që ai ka pasur oferta të shumta nga klubet e tjera”, tregon Monje.

“Nuk pajtohem me shumat që njerëzit i kanë dhënë për transferimin e tij. Nuk e di se nga kanë ardhur ata në përfundim që Neymar na ka kushtuar 86 milionë euro. Këto janë vetëm pallavra”, ka deklaruar Monje.