Aktuale

Meta kërkon nga presidenti malazez zgjidhje për problemet e shqiptarëve

Në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta u prit nga presidenti i Malit të Zi,  Filip Vujanovic, i cili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhe në veçanti për ratifikimin e protokollit të aderimit të Malit të Zi në Traktatin e Atlantikut Verior nga Kuvendi i Shqipërisë me 23 qershor.

Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti Vujanovic vunë në dukje se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë të shkëlqyera dhe shërbejnë si një model për të gjithë rajonin.

Në këtë kuadër, bashkëpunimi mes dy parlamenteve është shumë i rëndësishëm dhe duhet përqendruar në avancimin e proceseve integruese euro-atlantike si dhe në mbështetje të të dy qeverive reciproke për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

Gjatë takimit me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic, Meta preku edhe çështjen e pakicës nacionale shqiptare të Malit të Zi.

Sipas Metës, duhen gjetur zgjidhje konkrete edhe për ato çështje të mbetura që shqetësojnë këtë pakicë, zgjidhje që duhet t’i shërbejnë jo vetëm ndjeshmërive dhe nevojave ekonomike e sociale të komunave lokale, por njëkohësisht edhe forcimit të mëtejshëm demokratik e euro-atlantik të Malit të Zi.

the authorSamir Dalipi