Aktuale

Meta: Toleranca fetare, monumenti ynë më i rëndësishëm evropian

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta uroi të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e ditës së Sulltan Novruzit, nga selia e shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Gjatë fjalës së mbajtur sot, në organizimin festiv të zhvilluar për këtë ditë të shënuar, Meta e  cilësoi besimin bektashian, si “një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmit tonë”.

“Ai është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga Rilindja Kombëtare, nën emrin e vëllezërve Frashëri dhe deri më sot. Që nga koha kur lindi shpresa kombëtare dhe u hodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria, në atë projekt gjigand dashurie për atdheun është vënë mendje, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe të gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria”, tha Meta.

Më tej, ai vuri në dukje se ky besim fetar mbetet një nga pasuritë më të mëdha të vendit tonë dhe monumenti më i rëndësishëm europian, për shkak të vlerave të harmonisë dhe bashkëjetesës që mbart.

“Duke festuar sot dhe duke uruar njëri-tjetrin, ne e shohim ketë festë edhe si një tjetër simbol  të bashkëjetesës sonë të shkëlqyer të tolerancës fetare. Kjo është një nga pasuritë tona më të mëdha, ky është monumenti ynë më i rëndësishëm europian. Ndaj në këtë ditë feste dhe besimi, lutem dhe shpresoj për më shumë mbarësi dhe harmoni me njëri-tjetrin e punë të ndershme. Lutem e shpresoj për më shumë harmoni, bashkëjetesë dhe dashuri”, nënvizoi ai në mesazhin e tij në nder të kësaj feste.

Në këtë ditë kremtohet ditëlindja e Imam Aliut dhe ndryshe njihet nga besimtarët bektashinj si dita e rilindjes së madhe. Sulltan Novruzi njihet si dita e fisnikërisë bektashiane, e sipas traditës, besimtarët sot shprehin urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie dhe paqe