Aktuale

MI-ja ndan 1 milion euro për infrastrukturën rrugore të Dragashit

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku priti në takim kryetarin e Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, me të cilin nënshkroi Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projekteve të infrastrukturës rrugore në Dragash, në vlerë rreth 1 milion euro.

Me anë të këtij Memorandumi do të financohet realizimi i ndërtimit të rrugëve Trokan – Brrut në vlerë prej 550 000 eurosh, Brezne – Trokan në vlerë prej 150 000 eurosh, Strazimir – Dragash në vlerë prej 100 000 eurosh, Restelicë – Dragash në vlerë prej 10 000 eurosh, si dhe vazhdimi i asfaltimit të rrugës Restelicë – kalimi kufitar Strazimir në vlerë prej 150 000 eurosh.

MI-ja obligohet të sigurojë mjetet financiare në përputhje me realizimin e punimeve sipas kushteve të kontratës dhe do të caktojë një zyrtar për mbikqyrjen e realizimit të projekteve nga fillimi deri në përfundim të kontratës.

Ndërsa Komuna e Dragashit obligohet që t’i krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomik dhe zhvillimin e projekteve në pajtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive.
Po ashtu, komuna obligohet të kryejë procesin e tenderimit dhe të caktojë komisionin për hapjen e ofertave dhe vlerësimin e tenderëve.