Sport

Miliona euro në drejtim të FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s e ka miratuar ciklin e ri të Programit për Solidaritet dhe Zhvillim “HattRick V”. Por, pa dhënë detaje. Mirëpo, detajet rreth milionave i ka bërë të ditura UEFA. Shtëpia e futbollit evropian ka njoftuar se në periudhën 2020-2024 nga ky program 55 vendet anëtare të saj – përfshirë Kosovën – do të mund t’i përfitojnë nga 14.1 milionë euro, përkatësisht nga 3.7 milionë euro në vit. Pra, bëhet fjalë për një rritje prej 30 për qind në krahasim me fondin e këtij programi të periudhës 2016-2020.

Të dielën në Bratislavë të Sllovakisë është mbajtur mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe më pas Kongresi i 42-të i shtëpisë së futbollit evropian, në të cilin kanë marrë pjesë edhe drejtuesit më të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) – kryetari Fadil Vokrri, nënkryetari Agim Ademi dhe sekretari Eroll Salihu.

Dhe, të tre ata sigurisht se kanë dal të kënaqur nga ky kongres, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo pasi Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i ka njoftuar vendet anëtare të saj me shumat milionëshe të parave që do të mund t’i përfitojnë në vitet në vijim nga programet sociale të UEFA-s.

Në fakt, fjala është për Programin e Solidaritetit dhe Zhvillimit “HatTrick V”, prej të cilit natyrisht se miliona euro pret edhe FFK-ja, e cila nga viti 2016 është bërë anëtare e 55-të e UEFA-s.

Siç ka njoftuar UEFA, për periudhën 2016-2020 nga programi “HatTrick” secilit vend anëtar të UEFA-s është paraparë t’u ndahen nga rreth 11 milionë euro, përkatësisht nga 2.7 milionë euro çdo vit brenda ciklit 2016-2020.

Ndërsa, për periudhën 2020-2024 UEFA i ka njoftuar shtetet anëtare të saj se fondi do të jetë akoma më i madh.

Kështu, nga viti 2020 deri në vitin 2024 nga ky program i UEFA-s Kosova dhe të gjitha vendet anëtare të saj do të mund t’i përfitojnë nga 14 milionë euro, përkatësisht nga 3.5 milionë euro në vit.

“Programi i Solidaritetit dhe Zhvillimit ‘HatTrick V’ do të ketë fond prej 775 milionë eurosh në ciklin e ardhshëm katërvjeçar, 2020-2024.

Kjo e shënon një rritje të fondit prej 30 për qind nga 600 milionë euro të fondit për ciklin 2016-2020”, ka deklaruar UEFA.

“Secila federatë anëtare do të mund t’i marrë deri në 14.1 milionë euro për katër vjet. Ky program i mbështet vendet anëtare të UEFA-s në zbatimin e programeve të edukimit dhe zhvillimit e po ashtu programet e financimit të infrastrukturës në futboll, duke ndihmuar në ndërtimin e fushave të futbollit, stadiumeve dhe qendrave të trajnimit”, ka njoftuar UEFA.

Ndërkohë, shtëpia e futbollit evropian ka treguar se ky program ekziston që nga viti 2004 dhe prej atëherë ka investuar në vendet anëtare të saj gati 2 miliardë euro.

Siç dihet, futbolli kosovar mezi ka mbijetuar në kohën UEFA as që e shikonte nga largësia. Falë njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët e kanë ndarë kafshatën e gojës për t’i ndihmuar futbollit, ky sport ka arritur të mbijetojë, ani pse mbi 100 klube veç janë shuar nga pas lufta deri në momentin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA. Mirëpo, kriza financiare po e rrezikon futbollin tonë edhe pas anëtarësimit të FFK-së në UEFA. Shumë klube edhe sot mezi frymojnë.

FFK-ja nuk i përmend milionat!

Derisa UEFA ka dhënë detaje të rëndësishme dhe goxha të qarta rreth shumave milionëshe të parave që do t’i ndajë për vendet anëtare të saj nga Programi për Solidaritet dhe Zhvillim “HatTrick V”, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka përmendur shumë pak këtë program, ndërsa shumat milionëshe as që i ka përmendur.

“‘HatTrick-V’ do të funksionojë nga 2020 deri në 2024. Ky program ka nisur në vitin 2004 dhe financohet nga të ardhurat e Kampionatit Evropian dhe është bërë një nga iniciativat më të mëdha të solidaritetit dhe zhvillimit që do të krijohet ndonjëherë nga një trup sportiv”.

Kaq thuhet për këtë temë në njoftimin e FFK-së për pjesëmarrjen e prijësve të saj në Kongresin e UEFA.

“Delegatët e kongresit fillimisht me një minutë heshtje i kanë nderuar të gjithë ata njerëz të futbollit që kanë vdekur ndërmjet dy kongreseve e në mesin e tyre ishte edhe emri i ish anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Agim Maloku”, ka theksuar FFK-ja. /Zëri/